Vendosni fjalën kyçe....

Vendoset mbyllja e basteve, maxhoranca voton ligjin


Ditën e sotme në Kuvend do të vendoset mbi ligjin për ‘Lojërat e Fatit’, që pak ditë më parë u miratua nga Komisioni i Ekonomisë duke synuar mbylljen e të gjitha kazinove dhe pikave të basteve deri në 31 dhjetor të këtij viti.

Vendimi u mor nga deputetët e maxhorancës të cilët miratuan ndryshimet në ligjin për “Lojërat e Fatit”, i cili i hap rrugë mbylljes së veprimtarive të kazinove dhe pikave të basteve. Ministri i Ekonomisë, Ahmetaj, tha se vendimi është marrë tashmë dhe nuk do ketë asnjë kthim prapa.

Ligji që vendos mbylljen e pikave të basteve dhe kazinove u votua vetëm nga përfaqësuesit e maxhorancë, pasi opozita nuk mori pjesë në Komision.

Pas marrjes së vendimit, kryeministri Rama, e ka përshëndetur atë me një postim në ‘Twitter’ ku falenderon deputetët e komisionit për votimin e ndalimit të bixhozit.

“FLM deputetëve të Komisionit të Ekonomisë e Financave, për mbështetjen me votën sot të projekt-ligjit për ndalimin e bixhozit! Tani në Komisionin e Ligjeve dhe të enjten të gjithë në Kuvend! Për nënat e gratë në radhë të parë. Dhe për një mesazh të qartë krimit të organizuar.”

Sipas deputetit socialist Ervin Bushati, lojërat e fatit kanë ndikuar negativisht tek të rinjtë për mosangazhimin e tyre në gjetjen e punëve në sektorin privat.

Ndërsa kreu i Komisionit, socialisti Braçe propozoi një pikë në ligj që i hap rrugën shtetëzimit të sektorit, ç’ka do të thotë që lojërat e fatit të organizohen nga shteti.

Ministri Ahmetaj u pyet për efektet e ligjit në rritjen e papunësisë, së cilës iu përgjigj duke thënë se rreth 7900 personat që humbin vendin e punës do trajnohen dhe mund të gjejnë punë në sektorë të tjerë të ekonomisë, e cila po zgjerohet.

Ndërkohë sot prite të shqyrtohet edhe dekreti i presidentit Meta që e ktheu sërish për rishqyrtim ligjin që i hap rrugë prishjes së Teatrit Kombëtar.

Këtë njoftim e bëri dje Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi gjatë mbledhjes. Ai tha se është përfshirë në axhendën e Komisionit që shqyrtimi të bëhet ditën e enjte në orën 9:00 të mëngjesit, një orë para se të fillojë seanca plenare dhe sipas rregullores së Kuvendit, dekreti futet automatikisht në rendin e ditës dhe në kalendarin e punimeve.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *