13.3 ton produkte të pasigurta për shëndetin e konsumatorit janë bllokuar gjatë muajit tetor në pikat doganore të Shqipërisë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) bën me dije se janë kryer 4011 kontrrolle në të gjitha pikat doganore të Shqipërisë në periudhën 1-25 tetor në rang vendi.
Vetëm në qytetin e Durrësit janë bllokuar 4.5 ton oriz me vend origjine, Spanjën.
“AKU KONTROLL TË FORTË NË PIKAT DOGANORE, BLLOKON 13.3 TON PRODUKTE TË PASIGURTA
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka në vëmendje të shtuar, kontrrollet në pikat doganore me qëllim sigurinë ushqimore të produkteve që importohen nga shtetet e tjerë drejt vendit tonë.
Për periudhën 1-25 tetor në rang vendi janë kryer 4011 kontrrolle në të gjitha pikat doganore të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe janë konstatuar dhe bllokur 13.3 ton produkte ushqimore të pasigurta për tregun shqiptar. Trupa inspektuese e AKU-së ka kryer proçedurat për kthim në origjinë të këtyre produkteve.
Konkretisht, në pikën doganore, Durres janë bllokuar 4.5 ton oriz me vend origjinë, Spanjë. Ngarkesa në fjalë nuk shoqerohej me certifikatë fitosanitare gjë që bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, në pikën doganore, Qafë Thanë është bllokuar një sasi prej 1.8 ton domate me vend origjinë Lituani pasi u konstatua prezencë myku dhe të kalbura- pra të papërshtatshme për konsum.
Ndërsa në pikën doganore, Hani i Hotit janë bllokuar: 2.2 ton birrë, origjina nga Çekia dhe 4.8 ton produkte ushqimore si, kripë, salcë djathi, patatina, kokoshka dhe çokollatë me vend origjinë, Hungarinë. Këto 2 ngarkesa ishin afër afatit të skadencës- pra nuk lejohen të futen për konsumin vendas.”, njofton AKU.