Vendosni fjalën kyçe....

Ku i kursejnë paratë shqiptarët – ç’zbulon raporti i fundit i BSH-së


Paraja jashtë bankave ka ardhur në ulje gjatë dekadës së fundit, por në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kursimet e familjeve shqiptare në para jashtë sistemit bankar përbenin 26 % të totalit të kursimeve, niveli më i lartë i tre vitet e fundit.

Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë për shpërndarjen e pasurisë financiare të familjeve në Shqipëri gjeti se, kjo përqindje u mbajt si kursim jashtë sistemit (18%), si borxh tek të tjerët  (2%) dhe investime në mënyra të tjera me më fitim jashtë bankave (6%).

Si kursime në para, shqiptarët mbajnë 18 për qind jashtë bankave. Treguesi pësoi rritje me 3 pikë përqindje në raport me një vit më parë, ku kursimet në vlera monetare jashtë sistemit bankar ishin 15%, por ai është shumë më i ulët se në 2013-n, kur zinte 40%.  Për rrjedhojë depozitat në banka përbënin në gjashtëmujorin e parë të këtij viti 74 për qind të kursimeve të familjeve shqiptare nga 81 për qind që ishte treguesi në gjashtëmujorin e parë 2017.

Gjithashtu Banka e Shqipërisë ka vërejtur se familjet shqiptare kanë dhënë hua tek të tjerët rreth 2% të kursimeve të tyre, ky tregues një vit më parë ishte zero.

Është rritur ndjeshëm pesha e zërit  “investime të tjera” të cilat këtë vit thithen 6 për qind të kursimeve të shqiptarëve, teksa ky zë ishte vetëm 3 për qind në gjashtëmujorin e parë të 2017-es.

Banka e Shqipërisë duke analizuar vetëm pjesën e familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare të formave të ndryshme (duke përjashtuar rastet që ‘nuk kanë asnjë lloj pasurie financiare’), rezulton se ‘depozitat dhe/ose llogaritë bankare’ vijojnë të mbeten lloji kryesor i investimit financiar.

Krahasuar me 6-mujorin e kaluar, këto pesha kanë shënuar rënie respektivisht me 7 pp dhe 8 pp. Në përgjithësi, pesha e rasteve të mbajtjes së pasurisë financiare brenda sistemit (depozita/llogari bankare, investime të tjera) ka shënuar rënie, si për grupin e familjeve huamarrësve dhe për totalin e familjeve.

Rreth 26% e totalit të familjeve deklaruan se nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie financiare, dhe këto pesha janë rritur respektivisht me 7 pikë përqindje dhe 4 pikë përqindje krahasuar me vrojtimin e 6 mujorit të dytë të vitit 2017.

Niveli i përgjithshëm i të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve është rritur gjatë periudhës së vrojtuar, por rritja e shpenzimeve ka qenë më e theksuar, duke rezultuar thellim të deficitit të familjeve.

Pyetjes mbi pasuritë financiare në pronësi të familjeve të intervistuara i janë përgjigjur 1140 familje, nga 1142 familje që kanë marrë pjesë në vrojtim.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *