Vendosni fjalën kyçe....

Viza e refuzuar, mosdhënia e dorëheqjes dhe justifikimet e Vangjush Dakos


Mbrëmjen e kaluar kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ka folur për herë të parë  lidhur me përgjigjimet e publikuara ditën e djeshme, mbi një komunikim me një person me rekorde kriminale.

I ftuar në emisionin ‘Opinion’ të Blendi Fevziut, Dako pranoi se ka folur me Niçen dhe ka treguar se është vëllai i Astrit Avdylajt i arrestuar nga policia si koka e bandës së Shijakut.

Viza e refuzuar nga Ambasada Amerikane

Por përveç kësaj pjese, Dako foli edhe për vizën e refuzuar nga Ambasada Amerikane. Dako pranoi se viza i është refuzuar përkohësisht, por për shkak se ai nuk kishte dorëzuar dokumentacionin të plotë dhe s’e nuk kishte aplikuar sërisht për të mos u përfolur nga mediat.

“Ajo përtej sporteleve atje pasi mora shenjat e gishtave tha sa shtëpi ke? U pamë në sy me nusen, i thamë 2 shtëpi. Sa makina ke? 3. Tha kthehuni mbrapsht dhe do merrni një përgjigje. Më erdhi brenda 24 orëve me DHL një shkresë dhe thoshte: Refuzim i përkohshëm, shikoni nenin 233 G. Thoshte Refuzim i pjesshëm, mund të aplikoni brenda 6 muajve pa pagesë për arsye që nuk keni qenë korrekt me dokumentet e sjella. Nuk shkova prap sepse thashë do dalin tani këta do fillojnë: ‘Yy s’i dhanë vizë s’i dhanë vizë’. Dhe nuk e di, po të shkoj më japin vizë apo s’më japin vizë. Kjo është e vërteta.”, deklaroi Dako.

Nuk jep dorëheqje edhe nëse akuzohet

I pyetur nga Blendi Fevziu nëse do vazhdonte sërish si kryetar bashkia apo do jepte dorëheqjen nëse Prokuroria do ngrinte akuzë ndaj tij, Dako tha se nuk kishte arsye për të dhënë dorëheqjen.

“Do i respektojmë institucionet, prokurori gjykatë. Patjetër që do vazhdoj. Po pse?! Akuza nuk është asnjë gjë mor vlla. Është gjykata që vendos. Nëse Gjykata të fut në burg automatikisht hiqesh nga kryetar bashkie. Nëse je i pafajshëm vazhdon detyrën. “, deklaroi Dako.

Mundësia për të mos rikandiduar

Vangjush Dako u pyet nga Fevziu nëse do të rikandidonte përsëri, apo është lodhur duke qenë për shumë vite me radhë në të njëjtën detyrë. Kësaj Dako iu përgjigj duke pranuar se ekziston mundësia të mos rikandidojë.

“Jo, në radhë të parë nuk e vendos unë për të qenë kandidat, e vendosin strukturat e partisë. Unë si Vangjush nuk e ndjej veten fare të lodhur, por unë mund ta shoh veten në një pozicion tjetër duke mos qenë kryetar i Bashkisë së Durrësit. Por në të dyja rastet nuk di zgjedhje, të vazhdoj si kryetar bashkie apo të merrem me ndodnjë gjë tjetër sepse nuk mund të largohem nga ky qytet se e dua shumë dhe e dua këtë punë. Por duke qenë 12 në të njëjtën punë nuk ke çtë bësh ndonjë gjë të re, por nëse jepet mundësia për të bërë një punë tjetër, të japësh kontributin tënd diku tjetër ndoshta do jetë më mirë. Por një gjë di të them, që unë përsëri do të drejtoj fushatën jam apo sjam kryetar bashkie në të tre bashkitë e qarkut, Krujë, Shijak dhe Durrës. Dhe të garantoj që janë të treja të fituara.”, tha Dako. / Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *