Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e ka bërë publik kryeministri Edi Rama, i cili thotë që e ka pranuar dorëheqjen e tij dhe se propozon për ministër Sandër Lleshin.
“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar.Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.Traseja është e shtruar.Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”, shkruan Rama.
Kryeministri nuk ka dhënë ndonjë arsye se përse ministri i Brendshëm ka dhënë dorëheqjen kaq papritur.
Xhafaj është ndër ndër ministrat më të kontestuar të qeverisë Rama, kjo për shkak të akuzave lidhur me vëllain e tij Agron Xhafaj, mbi të gjitha pas audiopërgjimit të publikuar nga opozita si edhe akuzave lidhur me të shkuarën e tij në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit, të cilat vetë ish-ministri i ka mohuar.
Nga ana tjetër, ministri i ri Sandër Lleshi është këshilltari i Ramës për sigurinë i emëruar në vitin 2013.
Lleshi është ish-gjeneral i Forcave të Armatosura dhe që prej vitit 2010 mbante postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.
Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake.
Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani. Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.