Vendosni fjalën kyçe....

Fatmir Xhafaj për dorëheqjen: Me vullnetin tim i paraqita Ramës


Pas largimit nga detyra si Ministër i Punëve të Brendshme, flet për herë të parë Fatmir Xhafaj.

Në llogarinë e institucionit të Ministrisë së Brendshme në Facebook, jepet njoftimi i Xhafajt për mediat, ku thotë se me vullnetin e tij, i ka paraqitur dorëheqjen kryeministrit Edi Rama, por pa dhënë arsyet që e çuan në këtë vendim.

“Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme.

Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve.

Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra.

Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe.

Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë.

Një falënderim i veçantë edhe për partnerët vendas dhe ata të huaj, agjencitë ligj zbatuese vendase e ndërkombëtare, mbështetja e të cilëve ka qenë një inkurajim shumë i rëndësishëm.”, shkruan Xhafaj.

Mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama dha lajmin e beftë për dorëheqjen e Xhafajt, ndërsa nuk nguroi të zbulonte edhe personin që do e zëvendësonte Xhafajn, Sandër Lleshin – këshilltari i tij për mbrojtjen.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar.Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.Traseja është e shtruar.Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”, shkruante Rama.

Sandër Lleshi është një emër jo i panjohur, pasi në vitin 2013, kur Edi Rama erdhi në pushtet e prezantoi si këshilltar për mbrojtjen në Kryeministri, duke thënë se emrin e tij ia kishte prezantuar Ismail Kadare, por për President.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *