Vendosni fjalën kyçe....

Kush është ministri i ri i Brendshëm që propozon Edi Rama


Pas dorëheqjes së Ministrit të Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, kryeministri Edi Rama ka zbuluar gjithashtu se propozon për ministër të ri të Brendshëm gjeneralin Sandër Lleshi – këshilltarin e vet për mbrojtjen.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar.Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.Traseja është e shtruar.Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”, shkruan Rama mëngjesin e sotëm në Twitter.

Në vitin 2013, kur Edi Rama erdhi në pushtet dhe e prezantoi Sandër Lleshin, si këshilltar për mbrojtjen në Kryeministri, tha se emrin e tij ia kishte prezantuar Ismail Kadare, por për President.

“Emrin e Sandër Lleshit e kam dëgjuar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë munda ta çmoj përmes mediave kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë.
Dhe njohja nga afër erdhi kur pas zgjedhjeve e thirra për ta dëgjuar lidhur me gjithë çka kishte denoncuar publikisht, si edhe me idetë e tij për të ardhmen e dikasterit qendror të mbrojtjes si edhe të vetë Forcave të Armatosura natyrisht.
Pas disa komunikimesh kuptova besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur.

I edukuar në perëndim, njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë – nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje – Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri.”, deklaronte Rama në 2013-ën.

Lleshi është ish-gjeneral i Forcave të Armatosura dhe që prej vitit 2010 mbante postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.

Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake.

Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani. Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *