Pas publikimit të përgjimeve të bisedave të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Denion Ndrenika, ka thënë se do të ketë një hetim tjetër për ata që kanë nxjerrë fashikuj të kësaj dosjeje në media, duke e konsideruar këtë si thyerje e sekretit hetimor.
“Natyrisht që ne duhet të kemi një informim të plotë për të zbuluar se kur dhe nga kush kanë dalë materialet e përgjimet në të cilat përmendet kreu i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako apo edhe të dhëna të tjera që i përkasin hetimeve të fundit. Është regjistruar një procedim për nxjerrjen e të dhënave sekrete parashikuar nga Neni 295/a i Kodit Penal.
Nuk e di se nga rrjedhin informacionet, por them se do të ketë një hetim të plotë dhe ligji është shumë i qartë. Ne kemi ndërhyrë në pak raste në emisione televizive kur na është kërkuar duke respektuar elementët hetimorë. Çështja është shumë e thjeshtë: kjo është një çështje nën hetim dhe nuk ka asgjë tjetër që mund të them”, tha Ndrenika në një lidhje telefonike në emisionin Java në RTSH, ndërsa fliste për “dosjen 339”.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Arta Markut shtoi se dosja është mbajtur për muaj me radhë pa kryer asnjë veprim.
Ndrenika tha se ishte largimi rastësor i prokurorëve që solli një zhbllokim të çështjes dhe rezultatet e ditëve të fundi.
“Largimi rastësor i prokurorit ka sjellë zhbllokimin e dosjes. Nuk është fjala për Anton Martinin, pasi është larguar prej shumë kohësh. Prokurori i fundit që e kishte nën hetim dhe është ngarkuar për këtë hetim me një dyshe prokurorësh të tjerë. Theksojmë se materiali është shumë voluminoz dhe hetimi vijon deri na zbardhjen e plotë. Theksoj se dosja rrinte për shumë muaj pa asnjë veprim dhe shumë kush mund ta kuptojë se çfarë solli largimi i prokurorit,” tha Ndrenika.