Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj qëndrimit të Athinës zyrtare mbi ngjarjen në Bularat ku mbeti i vrarë nga përplasja me policinë shtetasi Kostandinos Kaçifa. Rama i bëri thirrje që fqinjëve helenë që të bashkohen në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi nga marrëzia ekstremiste.
Ky reagim i Ramës vjen pas qëndrimit të Ministrisë së Jashtme greke e cila shprehej se autoritetet shqiptare duhet të japin sqarime të mëtejshme mbi rrethanat se si humbi jetën Kaçifa.
“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”- shkruan Rama në Twitter.
Ndaj qëndrimit të fqinjëve helenë reagoi edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtëme Shqiptare e cila theksoi se qëndrimi i mbajtur nga autoritetet greke është qëndrim i pajusitifikuar politik.