Policia ka lokalizuar vendodhjen e 35-vjeçarit grekë Kostandinos Kaçifa i cili qëlloi me armë zjarri ditën e some në Bularat. Deri më tani raportohet se ai ndodhet në depon e ujit të fshatit Bularat dhe vazhdon të qëllojë në ajër. RENEA ka rrethuar zonën ku ndodhet 35-vjeçari por ende nuk ka bërë të mundur arrestimin e tij.
Kaçifa i përket minoritetit grek dhe dyshohet të jetë person me probleme mendore.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 10:00 në krye të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa, rreth 35 vjeç ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tye. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe sherbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij. Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër kanë shkuar forcat speciale Renea. Shtetasi Kostandinos Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat.