Kandidati i ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, ka arritur një fitore bindëse në zgjedhjet presidenciale të të djelës në Brazil.
Me 96 përqind të votave të numëruara, Bolsonaro ka siguruar 55.5 përqind të votave. Ndërsa kandidati i krahut të majtë, Fernando Haddad i Partisë së Punëtorëve (PT) ka fituar vetëm 44.5 për qind.
Zgjedhësit me sa duket i injoruan paralajmërimet e së majtës se ish-kapiteni i ushtrisë do të shkatërronte demokracinë dhe përqafuan një shans për ndryshime radikale pas viteve të trazirave.
Në komentet e tij të para pas publikimit të këtyre rezultateve, Bolsonaro u zotua të reformojë financat e qeverisë dhe të riorientojë marrëdhëniet diplomatike.
Bolsonaro ka bërë fushatë me premtimin se do ta zhdukë korrupsionin në shtetin e tij, dhe se do ta ulë ndjeshëm shkallën e lartë të krimit në Brazil.
Për shumë nga ndjekësit e Bolsonaros, shpesh të rinj apo të moshës së mesme, ai është thjesht “mito” – “miti”, i cili supozohet të pengojë Brazilin të bjerë në duart e të majtës socialiste dhe të bëhet një Kubë e dytë ose Venezuelë .