Aktivistët e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar i kanë hedhur në tavolinë gjithë argumentet, ambasadorit të BE-së në Shqipëri, por duket se Soreca është distancuar nga një qëndrim konkret.
Pasditen e djeshme, përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit zhvilluan një takim me Kryetarin e ri të Delegacionit të BE në Evropë, Luigi Soreca, duke i prezantuar disa shqetësime.
“Nga ana jonë, i prezantuam Ambasadorit disa shqetësime kryesore si:
- Dëshira e Kryeministrit për të shembur godinën dhe për të përdorur truallin për ndërtime private është e hershme dhe ka filluar 20 vjet më parë.
- E hershme është edhe përpjekja e tij për të goditur artin si një nga mjetet e fjalës së lirë nëpërmjet të cilit kundërshtohen abuzimet e qeveritarëve dhe diktatorëve.
- Versioni më i ri i “ligjit special” është po aq anti-kushtetues, dhe po ashtu në kundërshtim me parimet e konkurrencës, sa versioni origjinal sipas vetë Presidentit.
- Qeveria po e ndërmerr këtë hap e fuqizuar nga situata ku vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, për shkak të reformës në drejtësi. Si garantët dhe mbështetësit e reformës, ne kërkuam nga institucionet ndërkombëtare të shprehen në lidhje me këtë problem, qoftë duke shtyrë vendimet për aq kohë sa gjykatat e vendit nuk janë ende funksionale.
- Në gjykimin tonë, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshi ata të BE-së, kanë mbajtur më parë qëndrime të drejtpërdrejta për probleme lokale. Mos-marrja e një qëndrimi në këtë rast, konsiderohet nga ne si një sjellje me standarde të dyfishta.”, rendit në deklaratën e saj Alenaca për Mbrojtjen e Teatrit.
Sipas saj ambasadori Soreca ishte mbështetës i përpjekjeve qytetare në mbrojtje të kauzave të ndryshme, por ndante qëndrim të kundërt me ne në disa pika thelbësore.
“Më konkretisht:
- Reforma në drejtësi konsiderohet prej tij si një ndërmarrje e institucioneve shqiptare, të cilat duhet ta kryejnë procesin deri në fund. Delegacioni i BE do përpiqet të ndihmojë dhe të kërkojë me ngulm që procesi të përshpejtohet por nuk mund të ndërmarrë hapa përtej këtij roli.
- Delegacioni, si dhe Komisioni Evropian, nuk pranojnë të shprehen në lidhje me problemet e brendshme kushtetuese dhe ligjore, pasi do tejkalonin rolin e tyre. Ashtu si për reformën në drejtësi në tërësi, edhe në rastin konkret Ambasadori mendon se vetëm institucionet lokale mund të japin një qëndrim të saktë.
- Edhe kryerjen e një deklarate për të shtyrë vendime me kushtetutshmëri të dyshimtë Ambasadori e konsideron si përfshirje në çështje të brendshme.
- Ambasadori nuk kishte një qëndrim ndaj një skenari hipotetik ku qeveria shemb godinën por më pas “ligji special” konsiderohet anti-kushtetues.”, deklarojnë përfaqësues të aleancës.
Por, aktivistët e kanë garantuar Sorecën se do ta mbrojnë teatrin edhe me përplasje fizike.
“Jemi të bindur, sot më shumë se kurrë, se problemet e Shqipërisë mund dhe duhet ti zgjidhin vetë shqiptarët. Sado dashamirës ose jo të jenë ambasadorët e huaj në vend, është e qartë se ideja që zhvillimi i vendit vjen prej tyre është një mit i rrezikshëm mbi të cilin nuk mund të mbështeten më shpresat e shqiptarëve”, përfundon deklaratën Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.