Kryebashkiaku i Kamzës, Mziu, ka deklaruar se kryeministri Rama nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë një vit më parë për të ndihmuar bashkinë e Kamzës në sezonin e përmbytjeve.
Sipas Mziut, edhe pse kreu i qeverisë kishte premtuar financim të projekteve që parandalonin përmbytjen, kjo gjë nuk ka ndodhur ndërkohë që sezoni i shirave sapo ka hyrë.
Ai thotë se Kamza preket nga përmbytet dhe kërkon investime në disa kolektorë për të shmangur pasoja të rënda.
“Në çdo stinë vjeshte Kamza preket nga përmbytjet, pavarësisht asaj çfarë Bashkia ka bërë për të mundësuar parandalimin dhe për të pasur sa më pak përmbytje, kjo brenda kapaciteteve dhe mundësive financiare që realisht ka. Edhe pse prej vitesh ka përmbytje në Kamëz, mungesa e investimeve në kolektorë sjell përmbytje të shumë familjeve. Ndonëse Bashkia Kamëz bën më të mirën e saj në pastrimin e kolektorëve, madje edhe me mjete të marra me qira, pasi qeveria as dhe një ekskavator dhe zjarrfikëse nuk ka sjellë ende, sërish përmbytjet nuk janë shmangur. Vitin e kaluar të gjithë panë me habi dhe u çuditën që në Kamëz zbriti vet ai, Kryeministri Edi Rama, dhe një takim të shkurtër në terren me kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu, dhe në kuadër të propagandës që ai di ta bëjë mirë me mediat që i shkonin pas edhe pse natë, premtoi se do t’i ofronte ndihmë Kamzës. Rama nuk e ka mbajtur fare fjalën dhe konstatohet lehtë mashtrimi i Kryeministrit dhënë për banorët e Kamzës. Rama nuk ka akorduar asnjë fond për atë çfarë i kërkoi kryetari i Bashkisë Kamëz, sikurse në sirtarët e ministrive flenë afro 150 projekte të shoqëruara më shkresë përcjellës që mbajnë firmën e kryebashkiakut Xhelal Mziu.” – thuhet në reagimin e Mziut.