Jep dorëheqjen nga detyra Avokaten e Shtetit, Alma Hicka. Ende nuk dihet arsyeja se përse është larguar Hicka, ndërkohë që mësohet se kush do ta zëvendësojë.
Artur Metani, është Avokati i ri i Shtetit i emëruar nga Rama, i cili më parë mbante postin e drejtorit të Departamentit të Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Antikorrupsionit. Mësohet se emri i tij është propozuar nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Kryeministri Edi Rama, ka reaguar për largimin e Hickës duke thënë se nuk është e vërtetë që e ka shkarkuar, por që ajo u largua për arsye personale.
„Kazanët po ziejnë një broçkull për “shkarkimin” e Alma Hickës. Në fakt Alma u largua me dëshirën e saj, për arsye krejt personale e për gjithë keqardhjen time që e konsideroj një Avokate të shkëlqyer të Shtetit. Me neveri për kazanët i them Almës mos u mërzit e paç vetëm sukses“, janë fjalët e Ramës.
Kujtojmë se Hicka u emërua në këtë post në vitin 2013, pak pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet.
“E diplomuar shkëlqyeshëm në Shkollën e Lartë të Magjistraturës pas vendit të parë në rezultatet e kursit përkatës dhe Master në të drejtën civile nga Universiteti i Tiranës, në mungesë të çdo lirie konkurence e vlerësimi për meritën, Alma Hicka ka vijuar karrierën si gjykatëse e shkallës së parë dhe inspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Sot ajo ka marrë pëlqimin e merituar për të drejtuar avokaturën e shtetit, si një tjetër grua në karrierë që merr përsipër barrën e një përgjegjësie të madhe në rrugën e rimëkëmbjes së institucioneve të vendit dhe posaçërisht, si kryembrojtëse e interesit të shtetit shqiptar në shumë fushëbeteja ligjore me individë e sidomos kompani të “mirëarmatosura” me ekipe juridike”, shkruante kryeministri Rama për Hickën, e cila është një ndër emërimet e para të kryeministrit.
Kujtojmë se çështja e CEZ është një nga çështjet për të cilat Alma Hicka është përfolur më shumë gjatë kohës që mbante postin e Avokates së Shtetit, për shkak se bashkëshorti i saj, Envi Hiçka, ka qenë avokati i kompanisë Cez përgjatë kohës që Cez ka operuar në vendin tonë.
Lajmi doli fillimisht nga gazeta e opozitës “RD”, e cila raportonte se zyra e bashkëshortit të Avokates së Shtetit, Alma Hiçka, ka qenë përfaqësuese në proçeset gjyqësore në periudhën kohore kur DIA akuzoi CEZ për mosshlyerje detyrimesh.
Në këtë çështje bëhet fjalë për një konflikt të pastër interesi, pasi të dy bashkëshortët kanë qenë avokatë të dy palëve të kundërta. Avokatja Alma Hiçka përfaqësonte shtetin, ndërsa i shoqi Envi Hiçka kompaninë çeke.
Në përfundim të procesit gjyqësor me kompaninë CEZ, pala shqiptare u tërhoq, opozita e ka konsideruar marrëveshjen e arritur si një marrëveshje e cila është në disfavor të interesave të vendit tonë. Sipas shkrimit të RD-së, Avokatja e Shtetit e thirrur për të dëshmuar në komisionin hetimor për këtë çështje është shprehur se nuk ka patur informacion që i bashkëshorti ishte avokat i palës çeke.
Po ashtu, sipas gazetës RD, Hiçka është e vetmja avokate që ka këshilluar dorëheqjen nga kjo çështje ndërkohë që avokati i kontraktuar vazhdimin e çështjes.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka paditur në prokurori Avokaten e Shtetit dhe Ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri, pasi sipas KLSH-së marrëveshja e arritur me palën ceke i ka kushtuar shtetit tonë një dëm financiar prej 479 milionë euro.
Për dosjen e CEZ, KLSH ka deklaruar se:
“Avokati i Shtetit si titullar i institucionit i ngarkuar me nënshkrimin e marrëveshjes ka pasur detyrimin jo vetëm të mos nënshkruante një marrëveshje tërësisht të disfavorshme dhe në shpërfillje të plotë të pretendimeve dhe interesave të shtetit shqiptar, por edhe të paralajmëronte dhe informonte jo vetëm anëtarët e grupit të punës, por dhe institucionet e tjera të shtetit si Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin në lidhje me të gjithë përcaktimet në marrëveshje ku qartazi rrezikoheshin interesat e shtetit shqiptar”.
Ndërsa qeveria shqiptare nëpërmjet Avokates së Shtetit Alma Hiçka u tërhoq nga gjyqi dhe mori hua për të dëmshpërblyer kompaninë CEZ, bashkëshorti i zonjës Hiçka ka qenë pjesë e ekipive të juristëve të lidhur me kompaninë CEZ./Hashtag.al