Ish-ministri i Brendshëm, Tahiri shtoi në deklaratën e tij para mediave se si asnjëherë më parë në çështjen e tij ishin përfshirë 7 prokurorë, ndërsa tha se pret i qetë hetimin e prokurorisë shqiptare.
Më tej ai tha se kishte gabuar gjatë detyrës së tij por ishte krenar për punë e bërë duke ndërtuar atë që ai e quajti asokohe “Policia që duam”.
Në fund Tahiri tha se nuk do reshtë së kërkuari të drejtën e të vërtetën deri në fund.
“Unë pres hetimin e prokurorisë shqiptare. Do duhet ende kohë për të vërtetën. Lloj lloj palaçosh më bënë gjyqin. Nuk ka pasur një çështje të dytë ku të jenë përfshirë 7 prokurorë. Unë do e kërkoj të drejtën time në çdo instancë. Dhe unë them boll, 1 vit është mjaftueshëm. Nëse nuk ju mjaftojnë 7 prokurorë, bëjini 70. Sa kohë duhet ende, çfarë duhet ende nuk e di. Jam këtu para prokurorisë shqiptare. Nuk e di çfarë kanë hetuar pasi nuk jam thirrur një herë të vetme atje. Por do pres. Nuk jam Lulzim Basha që bashkë me Saliun vranë e prenë dhe as nuk u hetuan, nuk u gjykuan nuk u dënuan. Tani më thonë se Edi Rama po mbyll hetimet për mua. Nuk jam si këta sepse sa më vlen ndërgjegja ime dhe qetësia ime dhe e familjes sime. Jam krenar për çdo ditë të punës sime. Ndërtuam policinë që duam. Unë jam Saimir Tahiri që kam qenë dhe do vazhdoj të jem i njëjti.” – tha Tahiri.