Kryeministri Edi Rama ka emëruar si zv.ministër të Arsimit, mjekun Taulant Muka.
Emri i këtij të fundit u bë i njohur për publikun pas denoncimeve të tij në rrjetin social “Facebook”, ku akuzonte për plagjiaturë disa personazhe të njohur në vend, dy prej të cilëve me emra.
Bëhet fjalë për ish-zv.ministrin, të cilit i ka zënë vendin, Ervin Demo dhe deputeten e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti.
Mjeku Muka u shfaq në shumë emisione televizive në vend duke denoncuar dukurinë e plagjiaturës në doktoraturat që ishin marrë vitet e fundit nga universitetet e ndryshme në vend.
Pas denoncimeve të mjekut Muka, Ervin Demo dha dorëheqjen nga posti që mbante duke deklaruar se koha do i jepte të drejtë dhe do vinte gjërat në vend, ndërsa deputetja Gjylameti nuk ka bërë ende ndonjë qëndrim publik për këtë çështje.
Nga data 31 tetor, Taulant Muka është zv.ministër i Arsimit në vend sipas vendimit që mban firmën dhe vulën e kryeministrit shqiptar.