Gjatë vizitës së tij në Kukës, kryeministri Edi Rama vijoi me premtimet e tij për kuksianët për vënien në funksion të aeroportit.
“Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë ndërtimi i aeroportit, ekzistuesi do të transformohet në një aeroport të standardeve ndërkombëtare për fluturimet me çmime të ulëta dhe studimi që ne kemi bërë me ekspertë të huaj na ka inkurajuar shumë dhe mua më ka entuziazmuar se gjithë analizat e bëra sipas metodave profesionale të parashikimit për suksesin enjë biznesi tregojnë se Kukësi do të lëvizë në një mesatare prej 300 mijë udhëtarësh në vit”– janë fjalët e Ramës.
Pas vizitës në Kukës, kryeministri nuk nguroi të publikonte në Facebook edhe pamjet 3D të projektit përmes një fotoje.
“Aeroporti i Ri i Kukësit dhe një paralajmërim: Mos përgojoni 3D se sot një vit, në realitet do jetë më i bukur se këtu”, shkruante Rama, krahas fotos.
Mirëpo rezulton se fotoja e prezantuar si projekt është ideuar më herët nga studioja UN për aeroportin e Kutaisit në Gjeorgji.
Në një artikull të “Dezeen” të nëntorit të 2017-ës thuhet: “Firma holandeze ‘UNStudio’ ka zbuluar planet për një “shtrirje të orientuar drejt përdoruesit” në terminalin e Aeroportit Ndërkombëtar të Kutaisi-t në Gjeorgji”.
Firma “Ben van Berkel” përfundoi ndërtesën e terminalit në vitin 2013. Vetëm katër vjet më vonë, studiove me qendër në Amsterdam iu kërkua të dizajnonin një shtrirje të madhe, për t’u kujdesur për numrin në rritje të pasagjerëve të aeroportit. Presim si do e sqarojë kryeministri Rama, kopjimin apo huazimin e projektit për aeroportin e Kukësit, nga projekti për aeroportin e Gjeogjisë./Hashtag.al
Bëni krahasimin: