Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka deklaruar se kryeministri Rama është nxitësi zyrtar i dhunës ndaj gazetarëve.
Në Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund mondëshkimeve të krimeve ndaj gazetarëve, Vokshi, përmendi rastet e dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve të cilat nuk janë zbardhur ende nga prokuroria.
Deputetja deokrate ka bërë thirrje gjithashtu që të hetohet shantazhi i mediave me anë të Tatimeve si dhe blerjen e saj me tenderat publikë nga ana e kryeministrit Rama.
Po me rastin e “Ditës Ndërkombëtare për Dhënien Fund Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve”, presidenti Meta do organizojë sot në orën 18:00, një pritje me gazetarët në Presidencë, ku janë ftuar të marrin pjesë mediat.
“Me rastin e “Ditës Ndërkombëtare për Dhënien Fund Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve”, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta organizon sot (e premte) në ora 18:00, një pritje me gazetarët në Institucionin e Presidentit. Ftohen mediat të jenë të pranishme. Aktiviteti nuk është me regji qendrore ndaj ju lutemi sillni direktet për transmetim LIVE.” – thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Sot, është Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve. Por, Shqipëria sundohet nga Rama, nxitësi zyrtar i dhunës ndaj gazetarëve. Në regjimin e tij gazetarët janë problemi dhe së fundmi ka urdhëruar edhe ndjekjen e tyre për shpifje.
Në Shqipëri nga 2013-2018, dhjetëra gazetarë janë dhunuar, kërcënuar dhe përndjekur për shkak të publikimeve të historive për përfshirjen e Kryeministrit, ministrave dhe kryebashkiakëve socialistë në afera korruptive dhe në lidhje të ngushta me krimin e organizuar.
Vetëm këtë vit u kërcënuan me armë dy gazetarë. Asnjë i dënuar për plumbat në shtëpinë e gazetares Klodiana Lala. Asnjë i arrestuar për pistoletën në kokën e korrespondentit, Julian Shota.
Për gazetarët investigativë; Jetmir Olldashi u dha masë dënimi “detyrim me paraqitje”, ndërsa për Basir Çollakun nisi procedim penal për shpifje se intervistoi nënkomisarin që u kërcënua në prani të Koordinatorit të Bashkëqeverisjes dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS.
Dhjetëra kolegë të tyre u larguan nga Shqipëria dhe kërkuan mbrojtje për jetën në vendet e Bashkimit Europian. Ende në platformën e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e gazetarëve nuk ka përgjigje nga qeveria shqiptare për kërcënimin dhe përndjekjen e gazetares Alida Tota pse investigoi humbjen e jetës së të ndjerit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës që menazhohej nga Bashkia Tiranë.
Ende nuk ka përgjigje as për dhunimin e dhjetëra gazetarëve të tjerë që u larguan nga Tirana me urdhër policor. Në detyrën e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Median përsëris thirrjen drejtuar Prokurorisë për të zbardhur rastet e dhunës, kërcënimeve, largimeve nga puna dhe përndjekes së gazetarëve.
Po ashtu hetime të thelluara duhet të kryhen edhe për shantazhimin e medias me tatimet dhe blerjen e saj me tendera publikë për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të shpërndarë “fake neës-t” e Edi Ramës dhe kryebashkiakëve të tij.
Sot, inkurajoj të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias të rezistojnë. Falenderoj secilin prej gazetarë profesionalistë, dhe angazhohem të jem krah tyre, në betejën për të mbrojtur Lirinë e Shtypit!” – shkruan Vokshi në “Facebook”.