Ditën e sotme rreth orës 11:00, studentët aktivistë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, do të ngrihen në protesta kundër djegies së mbeturinave pranë kampusit universitar.
Në rrjetet sociale që prej ditës së djeshme ka nisur fushata për t’i bërë thirrje sa më shumë njerëzve t’u bashkohen.
“Rreth 1 kilometër nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës vazhdon prej vitesh djegia e mbetjeve e cila është kthyer në problemin numër një si për rreth 20 mijë studentë, ashtu edhe për stafin akademik.
Djegia e plehrave në Porto-Romano është, hapur në shkelje e ligjin, por sikur të mos mjaftonte kjo jetë njerëzish rrezikohen çdo ditë në këtë zonë. Jeta e studentëve që shumicën e kohës e kalojnë pranë Universitetit është seriozisht e rrezikuar nga mbetjet kancerogjene që digjen pa asnjë lloj kriteri, dhe jashtë çdo standarti.
Duke qenë të vetëdijshëm se JETA dhe SHËNDETI i qytetarëve, studentëve, stafik akademik dhe administratës është më e rëndësishme se të gjitha, duke qenë të vetëdijshëm se kjo kauzë është për JETËN, duke qenë të vetëdijshëm se askush nuk mund të vazhdojë më frekuentimi ne këtyre ambijenteve, duke qenë të vetëdijshëm se jeta jonë është në fije të perit, studentët e UAMD-së, kanë vendosur që me datën 02/11/2018 ora 11;00 përballë kampusit Universitar në rrugë të mbahet Tubim-protestë ku do të bëhet thirrje URGJENTE për zgjidhjen e menjëhershme të kësaj situate ose përshkallëzimi i protestave do të jetë i pashmagnshme.
Me slloganin #jetambitëgjitha ftohen studentë dhe pedagogë të Premten.”, thuhet në njoftimin e studentëve.
Ditët e fundit, disa video të publikuara kanë treguar pamje nga Durrësi i ndotur për shkak të djegies së mbeturinave. Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, reagoi për njërën nga videot, atë të ish-kryeministrit Sali Berisha, ku tregohej tymi në Sukthin e Ri në Durrës, shkaktuar nga djegia e mbeturinave.
Por sipas Dakos, videoja nuk është realizuar në Durrës, ndërsa nuk ngurronte t’i thoshte Berishës se durrsakët do të vazhdojnë të votojnë për të majtën në politikë.
“Shikojeni pak videon e Babës Lulit për me demek Sukthin dhe blozën! U bë e disata herë që ky Plak nxjerr video nga bota e tretë që i’a faturon Durrësit, po unë i them s’ka video dhe toç apo larvë që e kthen me pushtetin tënd o i vdekur dixhital! Durrësi ka qenë, është dhe do të mbetet nga ana e zemrës: Majtas!”, shkruante Dako një ditë më parë.