Tre persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi gjatë kontrollit u janë kapur armë zjarri dhe tritol.
Në pranga kanë rënë 2 vëllezër, përkatësisht 26-vjeçari Kastriot Gazidede dhe i vëllai, 16-vjeçari me iniciale S.G., të dy banues në Tiranë të cilëve u janë kapur 2 automatikë, 17 kallë tritol si dhe kanabis.
Në pranga ka rënë edhe 45-vjeçari Lulzim Aruci, të cilit i është kapur në banesë një armë zjarri tip automatik.
“Tjetër goditje në kuadër të operacionit “Ndëshkimi i të fortëve”.
Në pranga tre shtetas, dy prej tyre vëllezër.
Sekuestrohen 17 kallëpe tritol, dy armë zjarri automatikë dhe lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa.
Në vijim të Forcës së Ligjit në Territor përgjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve në bashkëpunim dhe me Forcën e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit kanë ushtruar kontrolle në ambiente dhe në akset rrugore të kryeqytetit.
Gjatë kontrolleve u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– Kastriot Gazidede, 26 vjeç, banues në Tiranë.
– S. G., 16 vjeç, banues në Tiranë (vëllezër)
Arrestimi i tyre u bë pasi në Pezë Helmës gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5, në mjetin tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin Kastriot Gazidede dhe pasagjer shtetasin S. G., u gjetën dhe sekuestruan 17 kallëpe tritoli, një armë zjarri automatikë dhe 1.2 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
– Lulzim Aruci, 45 vjeç, banues në Shtish.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 17 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse e llojit tritol
– 2 armë zjarri automatikë
– 1.2 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”. – thuhet në njoftim.