Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtarizohet lista, dy ish-ministra të PS-së dhe ish-kreu i SHIK-ut në garë


Anastas Angjeli dhe Shkëlqim Cani

Zyrtarizohet lista me kandidaturat për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.  Mes 34 emrave kryesisht nga fusha e ekonomisë dhe e drejtësisë  janë emrat e dy ish-Ministrave të Financave , Anastas Angjelit e Shkëlqim Canit.

Angjeli, profesor në fushën e ekonomisë dhe financës, me një kontribut të gjerë veçanërisht në Financat Publike dhe  Reformat Strukturore në Ekonomi, është një nga kandidaturat me profil më të njohur publik që garon për kreun e KLSH.

Që prej vitit 1982  ai  ka qenë pjesë e  profesoratit të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin  e Tiranës e më tej, pas vitit 1990,  një nga figurat më aktive të angazhuara në politikë. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 1991-2005 dhe 2013 në vazhdim, disa herë drejtues i komisioneve kuvendore për çështjet ekonomike e financiare. 

Angjeli ka mbajtur poste mjaft të rëndësishme në kabientet qeveritare të drejtuara nga PS si Ministër i Ekonomisë, Ministër i Financave, Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, për një periudhë të gjatë kohe gjatë tranzicionit. Prof. Dr. Angjeli është gjithashtu dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë që prej vitit 2009.  Angjeli është afirmuar si një nga ekonomistët më të shquar, veçanërisht në aplikimin e reformave të ekonomisë së tregut në Shqipëri.

Kontributi i tij i veçantë për reformën buxhetore e fiskale, për zhvillimin e sistemit financiar (bankar dhe jobankar), për zbatimin e politikave fiskale në dobi të zhvillimit të biznesit dhe të investimeve vendase dhe të huaja në Shqipëri, për zhvillimin e lirisë ekonomike, për kryerjen e reformave strukturore dhe privatizimin e ekonomisë, për liberalizimin dhe integrimin e ekonomisë shqiptare në atë rajonale dhe evropiane, gjatë periudhës së tranzicionit, është vlerësuar jo vetëm nga opinioni publik vendas, por edhe nga institucionet ekonomiko-financiare ndërkombëtare.

Profesor Angjeli është autor dhe bashkautor i shumë artikujve shkencorë, brenda dhe jashtë vendit, studimeve me karakter kombëtar dhe rajonal, i disa librave universitare dhe monografive si dhe i shumë artikujve me përmbajtje ekonomike, financiare dhe politike në gazetat e përditshme shqiptare dhe të huaja.

Një tjetër ish-ministër që kërkon kreun e KLSH-së është edhe Shkëlqim Cani. Shkëlqim Cani ka mbajtur postin e minsitrit të Financave që prej shtatorit të 2013 deri më shkurtin e 2016. Ai ka qenë ministër i qeverisë Rama. Më herët ka qenë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në vitet 1997-2004. 

Në vitin 1991 fitoi gradën shkencore “Doktor në Ekonomi”, Universiteti i Tiranës. Karriera e tij politikë fillon në vitin 1991 si Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave. Ka qenë edhe Deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në Legjislaturën  (1991- 1992) dhe në Legjislaturën (1992-1996).

Cani ka kryer detyra të rëndësishme shtetërore, si: Anëtar i Komisionit Ndërministror të Politikave Ekonomike (1998-2004); Anëtar i Klubit të Gu­vernatorëve të Bankave Qendrore të Azisë Qen­drore.

 

Anastas Angjeli

Një tjetër emër është edhe Bahri Shaqiri. Një nga postet më të rëndësishme që ka mbajtur, është kur u bë pjesë e Shërbimit Informativ Shtetëror. Viti 2002 shënoi një pikë kthese në jetën e tij profesionale. Shaqiri hyri në Shërbimin Informativ Shtetëror si shef i Kabinetit dhe Shef i Marrëdhënieve të Jashtme deri në vitin 2005 kur ai u emërua Drejtor i Shërbimit Informativ të Shtetit Shqiptar (kryetar i SHISH mars 2005- gusht 2012). Më herët ai ka punuar si avokat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Financiare. 

Bahri Shaqiri

Mes të tjerëve në këtë garë garon edhe Liljana Elmazi. Për 4 vite Liljana Elmazi ka qenë deputete e PD-së në parlament (2013-2017). 

Është e diplomuar në degën e Ekonomisë në Univestietin e Tiranës  dhe ka filluar punë pas studimeve si pedagoge në fakultet. Në vitin 1997 ka mbrojtur gradën shkencore Doktor i Shkencave në Ekonomi dhe në vitin 2001 dhe 2011 ka fituar titujt akademike Profesor i Asociuar dhe Profesor. 

Liljana Elmazi

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *