Para një jave dha dorëheqjen nga detyra Fatmir Xhafaj dhe qeveria Rama si ministër të ri të Brendshëm ka propozuar Sandër Lleshin. Por ky i fundit për këtë post shtetëror ende nuk është dekretuar nga presidenti Ilir Meta.
Sipas Kushtetutës “ministri emërohet dhe shkarkohet nga presidenti i republikës me propozim të kryeministrit brenda 7 ditëve.”
Sot është dita e 7 ditë edhe ende nuk është marrë një vendim nga Meta për Sandër Lleshin. Si ngërç kushtetues nga ana e ekspertëve ligjor në presidencë është parë dhe fakti i gradës gjeneral që mban Lleshi, pasi Kushtetuta e thotë qartë se ministri nuk duhet të mbajë asnjë post tjetër publik, apo të jetë pjesë e Forcave të Armatosura.
Për këtë dekretim Presidenca ka njoftuar se afati nuk ka mbaruar ende por është deri në orën 24:00 të ditës së sotme.
Në lidhje me këtë çështje Meta një ditë më parë deklaroi: “Nuk është çështje shpatullash, por është çështje bindjesh, nëse nuk më bindin nuk do t’i dekretoj. Kemi rastin e Italisë ku presidenti ka të njëjtat kompetenca, ku ai mendoi se një emër i propozuar si ministër ekonomie nuk e firmosi, pasi mendoi se rrezikonte ekonominë e Italisë. Askush nuk e detyron presidentit të firmosë një emër jashtë bindjes së tij’./Hashtag.al