Venezuelianëve tashmë i`u mungon edhe nafta. Radhët e gjata në pikat e karburanteve në Caracas e ilustrojnë më së miri krizën e rëndë që ka goditur vendin. Veç ushqimeve, medikamenteve dhe shumë produkteve të tjera bazë, të cilat mungojnë prej vitesh në dyqanet e vendit, tashmë shoferët duhet të përballen edhe me mungesën e karburantit. Kjo, pavarësisht se bëhet fjalë për një ndër vendet jo vetëm më të mëdha prodhuese në botë, por edhe një ndër ato që ka rezervat më të mëdha të naftës në glob.
Të dhënat më të fundit tregojnë se, rafineritë në vend po operojnë me kapacitet të përgjysmuar. Edhe ajo që prodhohet në vend shkon thuajse e gjitha për import. Sipas qeverisë, shkurtimet janë rrjedhojë e ndërprerjeve të energjisë, por ndërkohë opozita thotë se janë rrjedhojë e menaxhimit të keq të krizës. “Po mundohem të mbush makinën. Kam shpenzuar tre orë duke kërkuar për naftë dhe të gjitha pikat janë të mbyllura. Ky është i vetmi në qytet. Sistemi po shkatërrohet dhe këtu po bëhet një tragjedi”, shprehet një prej qytetarëve në radhë.
“Kemi probleme serioze me karburantin, radhët janë shtuar sepse ne kemi nevojë. Ne nuk kemi naftë në vendin tonë, aty ku prodhohet. Nuk duhet ta kemi këtë problem. Është shumë e vështirë ajo të cilën ne po përjetojmë”-shprehet një tjetër qytetar. “Këtu ne nuk dimë asgjë, ka radhë, por askush nuk proteston si më parë”-thotë i zemëruar dikush tjetër.