Pas protestave që po zhvillohen në zonën e Astirit, deputeti i LSI-së Endrit Braimllari ka zhvilluar një takim me disa prej banorëve.
Braimllari i kërkon kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, të konsultohen me banorët e kësaj zone para se të nisin zgjerimin e rrugës për projektin e Unazës së Re.
Sipas Braimllarit, ky projekt prek rreth 350 shtëpi dhe interesat e qytetarëve duhet të jenë të parat.
“Pas një takimi me disa banorë të Unazës së Re tek zona e Astirit.
I bëjmë thirrje kryeministrit dhe Bashkisë Tiranë të konsultohen me banorët e kësaj zone pasi deri më tani nuk ka asnjë konsult për këtë projekt që prek rreth 350 shtëpi.
Duke filluar me zgjerimin e rrugës dhe ndryshimin e shtratit të Lanës. Kryeministri nuk duhet të përdorë forcën e pushtetit dhe ndasitë krahinore kundër banorëve të kësaj zone që me shumë mundim kanë arritur të ndërtojnë shtëpitë ku jetojnë prej 25 viteve. Duhet gjetur një zgjidhje imediate pasi po hidhet poshtë djersa dhe gjaku i këtyre banorëve.
Kryeministri nuk kupton hallet e banorëve sepse ka kohë që është shkëputur nga realiteti në të cilin ndodhet vendi. Interesat e qytetarëve duhet të jenë të parët dhe jo ajo e oligarkëve të krimit dhe drogës të cilët po e mbajnë peng këtë kryeministër.”, shkruan Braimllari.
Banorët tek zona e Astirit në Tiranë u ngritën sot sërish në protesta për të kundërshtuar prishjen e banesave dhe bizneseve të tyre.
Ata kanë paralajmëruar një përshkallëzim të protestave, nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen.
Sipas protestuesve, banesat dhe bizneset e tyre do të shemben për të ndërtuar pallate.
“Ata kanë hall të zgjerojnë rrugën dhe të ndërtojnë pallate. Edi Rama na tha do keni legalizim falas. Ne nuk donim legalizim falas.
Ajo është prishje selektive zotëri. Duan të bëjnë ndërtime. S’jemi budallenj mos ta kuptojmë këtë gjë.
Duke i paguar taksat atyre vetëm një copë bukë kemi ngrënë.”, tha një zonjë.