Kryeministri Edi Rama i cili deri më tani ka qëndruar i heshtur pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar sandër Lleshin si ministër të Brendshëm, ka shkuar në Presidencë.
Mësohet se Rama ka kërkuar të takohet me Presidentin Ilir Meta, me të cilin mesiguri do të bisedojë për çështjen e Lleshit.
Presidenti Ilir Meta njoftoi një ditë më parë, se kishte vendosur të mos e dekretonte Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm, por pa dhënë shumë detaje.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ditën e djeshme, një lajm qarkulloi në media se Rama u kishte dërguar një mesazh deputetëve socialistë, të mos bënin asnjë koment për vullnetin e treguar nga kreu i shtetit.
“Lutem asnje lloj komenti askush per vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyren t’i dalim Zot njerezve, vendit, Kushtetutes me maturi dhe vendosmeri. Politika eshte shah, mos e harroni”, thuhej në mesazhin e kryeministrit drejtuar deputetëve.