Banorët tek zona e Astirit në Tiranë janë ngritur sërish në protesta për të kundërshtuar prishjen e banesave dhe bizneseve të tyre.
Ata kanë paralajmëruar një përshkallëzim të protestave, nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen.
Sipas protestuesve, banesat dhe bizneset e tyre do të shemben për të ndërtuar pallate.
“Ata kanë hall të zgjerojnë rrugën dhe të ndërtojnë pallate. Edi Rama na tha do keni legalizim falas. Ne nuk donim legalizim falas.
Ajo është prishje selektive zotëri. Duan të bëjnë ndërtime. S’jemi budallenj mos ta kuptojmë këtë gjë.
Duke i paguar taksat atyre vetëm një copë bukë kemi ngrënë.”, tha një zonjë.
Ndërkohë një tjetër protestues u ankua se dëmshpërblimi prej 1 milion lekësh të vjetra është i pamjaftueshëm në një kohë kur metri katror është shumë më shumë.
Projekti i Unazës së Re ka kosto të madhe për banorët e Astirit, të cilët ankohen se projekti është zgjeruar përtej përmasave të projektit fillestar.
“Në 2017 është miratuar ky projekt, tani u zgjeruar dhe u bë 5 metër rrugë e 5 metër trotuar, tani kanë vënë 32 metra nga rruga. Është pjesa e mbikalimit që është inauguar. Me 32 metra dalin 7.7 metra korsi. Për këtë projekt s’është marrë parasysh asnjë banor. Do na gënjejnë me një dëmshpërblim prej 1 milionë lekësh,” tha një tjetër protestues.
Banorët e Astirit thonë se përfaqësues të firmave private dhe të Ministrisë së Transporteve dhe ARRSH, i kanë vënë një afat kohor prej 15 ditësh, që të marrin gjërat e tyre dhe të largohen nga banesat.
Ditën e djeshme, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) reagoi duke njoftuar se projekti i Unazës së Madhe të Tiranës është në fazën e zbatimit.
“Siç media dhe opinioni publik eshte ne dijeni, tanime eshte ne fazen e zbatimit projekti i Unazes se Madhe te Tiranes, rikualifikimi nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja perfshire dhe zgjidhjen e kesaj nyje te trafikut.
Projekti është zyrtar dhe publik. Me zhvillimin e garës e cila gjithashtu ka qenë publike, janë përcaktuar firmat fituese që do zbatojnë projektin. Në përputhje me përcaktimet ligjore e nënligjore po veprohet në territor nga organet përkatëse të përfshira në proces si kordinim mes ARRSH, IKMT, Aluiznit, Bashkisë Tiranë”, thuhet në njoftimin e ARRSH. /Hashtag.al