Kryeministrja serbe, Brnabiç, ka deklaruar se Serbia dhe Kosova janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje. Siç shkruan Koha.net, shefja e qeverisë serbe e ka bërë deklaratën e mësipërme në një intervistë për “Financial Times”.
“Personalisht, do të doja marrëveshje të ndonjë forme sa më shpejt të jetë e mundur. Sidoqoftë nuk mendoj se në realitet jemi shumë afër një marrëveshjeje”, ka thënë ajo.
Sipas gazetës britanike, deklarata e Brnabiç tregon se çështja është shumë më delikate nga sa duket duke qenë se përfshin kulturën, historinë, politikën dhe territoret.
Ajo ka thënë se liderët e Kosovës janë duke bërë gabim të rëndë, po qe se mendojnë se dialogu me Beogradin do të rezultojë me njohjen formale nga Serbia të pavarësisë së Kosovës.
“Kur ata mendojnë se Serbia thjesht do e njohë pavarësinë e Kosovës, kjo nuk do të ndodhë ashtu siç presin ata. Duhet të zhvendosen nga pozicioni i tyre komod dhe të na takojnë në gjysmë të rrugës, ku i presim.” – ka shtuar ajo.