Irani betohet të “thyejë” sanksionet e rivendosura nga shtetet e bashkuara mbi sektorë kyçe të ekonomisë së tij. Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka rikthyer të gjitha masat shtrënguese të hequra pas marrëveshjes bërthamore të 2015-tës mes republikës islamike dhe fuqive të mëdha botërore në përpjekje për të ushtruar presion të shtuar mbi të me qëllim të reduktoje aktivitetin bërthamor, raketor e rajonal.
Dhe sanksionet janë të rënda: Ato do të godasin eksportet e naftës, transportin detar dhe bankat, e do ta vështirësojnë shumë të bërit biznes me shtetin e pasur me naftë.
Irani, e thënë nga sekretari i shtetit Mike Pompeo, duhet të sillet si një “vend normal, ose do ta shohë ekonominë e tij të shkërmoqet”.
Presidenti iranian Hassan Rouhani megjithatë e priti sfidues këtë lëvizje të Uashingtonit.
“Ne do t`i thyejmë sanksionet. Amerika kërkon t`i çojë në zero eksportet tona të naftës, por ne do të vazhdojmë të shesim nafte, e nuk do të pyesim per sanksione”, u shpreh Hassan Rouhani, president i Iranit.
Administrata amerikane synon të ndëshkojë fort sipërmarrjet që nuk i respektojnë sanksionet. Një nga mënyrat është përjashtimi i sipërmarrjeve të tilla nga sistemi financiar amerikan, sepse ato nuk do të mund ta kryejnë biznesin në dollarë amerikanë.
Çështja është se Uashingtoni do të bëjë përjashtime për disa vende. Importuesit më të mëdhenj të naftës iraniane, si Kina, India, Koreja e Jugut dhe Turqia përjashtohen nga sanksionet, por ndërkohë, për europianët, SHBA-ja nuk do të bëjë asnjë përjashtim.