Vendosni fjalën kyçe....

Ruçi shkon në zyrën e Metës


Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka vajtur në Presidencë për t’u takuar me kreun e Shtetit, Meta.

Takimi në presidencë po zhvillohet me kërkesën e kryeparlamentarit dhe  vjen dy ditë pasi Meta nuk e dekretoi propozimin e kryeministrit Rama të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm dhe një ditë pas takimit Rama-Meta në Presidencë.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta, me kërkesën e tij, zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Kuvendit, Sh.T.Z. Gramoz Ruçi. Presidenti Meta e njohu Kryetarin Ruçi me konsultimet e zhvilluara prej tij për datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Gjithashtu, Presidenti Meta i bëri me dije Kryetarit Ruçi zhvillimin e procedurave transparente për të ftuar kandidatët, të cilët kanë paraqitur interesin për Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, me qëllim përzgjedhjen e një kandidati të përshtatshëm dhe me integritet për këtë pozicion të rëndësishëm.” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Paralelisht me takimin Ruçi-Meta është zhvilluar mbledhja e grupit parlamentar të PS-së ku Rama njoftoi emërimin e propozimit të tij si zv.ministër i Brendshëm, ndërsa e cilësoi si anti-kushtetues qëndrimin e Metës.

“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00.” – shkruajti Rama në “Twitter”.

Ndër të tjera kreu i qeverisë tha se Meta nuk i kishte dhënë asnjë arsye për mosdekretimin e propozimit të tij ndërsa tha se situata e krijuar nuk ishte për përgjegjësinë e qeverisë, që duhet t’i dalë zot situatës së krijuar.

Ai njoftoi gjithashtu se emërimi i Lleshit në krye të Ministrisë së Brendshme do bëhej në seancën e nesërme ne Kuvend.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *