Banorët e “Astirit” edhe sot kanë dalë sërish në protestë pasi janë kundër prishjes së banesave të tyre në kuadër të “Unazës së Re”.
Edhe në protestën e sotme ata kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë prishjen e shtëpive të tyre pa i shpronësuar qeveria.
Ata kanë bllokuar sërish sot rrugën. “E more vesh çfarë bëhet, nuk e lirojmë rrugën deri sa ai të na japë përgjigje ne. Zoti Kryeministër të na dalë në televizor dhe të na sqarojë. Po tallet ai me ne. Pa na marrin shtëpitë pa na lajmëruar”, tha njëri nga banorët për mediat.
Ndërsa një qytetar tjetër u shpreh: “Kur të na vrasin neve, atëherë le të bëjnë atë që kanë nisur. Do bëhemi lugetër edhe do i mbysim. Qeveria po tallet me ne. Nuk tërhiqemi”- shprehen qytetarët.
Protesta e tyre vijon prej disa ditësh. Banorët e kundërshtojnë projektin se sipas tyre është zgjeruar përtej përmasave të projektit fillestar.