Administratorja e Top Channel, Vjollca Hoxha, ka përdorur të gjithë pushtetin e saj mediatik për të mos i kthyer borxhin rreth 700 milionë lekë që i ka subjektit “New Vision”, i cili ka ndërtuar të gjithë studiot e reja, ku transmetohen emisionet më të rëndësishme të televizionit.
Kompania “New Vision” ka fituar në rrugë gjyqësore të drejtën e saj për të marrë pagesën mbi punimet e kryera dhe të palikujduara nga “Top Channel”.
Gjykata e Tiranës, më datë 30.05.2018, ka miratuar kërkesën për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit, që do të thotë se detyron kompaninë “Top Channel” që nëpërmjet një përmbaruesi gjyqësor të paguajë detyrimet ndaj “New Vision”. Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit, përmbaruesi gjyqësor bllokoi llogaritë e televizionit në bankën Raiffeisen.
Vjollca Hoxha, në cilësinë e administratores së Top Channel, e kundërshtoi urdhrin e ekzekutimit, si edhe kërkoi gjykimin në themel të çështjes. Gjykata e Tiranës, përpara se të nisë gjykimn në themel të çështjes, pranoi kërkesën për pezullimin e urdhrit të ekzekutimit, duke i hequr të drejtën, përkohësisht, subjektit “New Vision” që të merrte paratë që i takonin, deri në përfundimin e gjykimit të çështjes në themel.
Subjekti “New Vision” e ankimon në Gjykatën e Apelit vendimin për pezullimin e urdhrit të ekzekutimit. Në treshen gjyqësore që do të shqyrtonte këtë kërkesë të “New Vision”, ndër të tjerë ishte edhe gjyqtari Fatri Islamaj në cilësinë e relatorit të kësaj çështjeje.
Gjykata e Apelit kishte caktuar si fillim datën 08.10.2018 për ta gjykuar këtë çështje në dhomë këshillimi, pra pa praninë e palëve. Vetë kjo trupë gjykuese në datën 08.10.2018, bazuar në fashikullin e gjykimit, ka vendosur ta kalojë në seancë gjyqësore, pra të dëgjojë edhe pretendimet e palëve në lidhje me këtë çështje e për këtë arsye ka vendosur si datë për zhvillimin e seancës gjyqësore datën 17.10.2018.
Në këtë datë, përfaqësuesi i Top Channel, i ka kërkuar gjykatës me shkrim shtyrjen e kësaj seance për shkak të një procesi tjetër gjyqësor në të cilin ishte i angazhuar në atë datë dhe orë.
Për këtë arsye, trupa gjykuese ka vendosur shtyrjen e saj për në datën 29 Tetor 2018 për të gjykuar këtë çështje dhe për të shpallur vendimin mbi kërkesën e “New Vision” për të rrëzuar pezullimin e urdhërit të ekzekutimit, nëpërmjet të cilës ai do të fitonte të drejtën për të marrë shumën 700 milionë lekë që ia ka borxh kompania mediatike e Vjollca Hoxhës.
Por, vetëm pak ditë para shpalljes së vendimit, Top Channel ndërmerr një hap, dukshëm shantazhues dhe për të vendosur nën presion gjykatën e Apelit. “Boldnews.al” ka siguruar një shkresë, e cila mban datën 19 Tetor (midis dy seancave gjyqësore që janë zhvilluar për këtë çështje), në të cilën “Top Channel” i kërkon informacion Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) mbi aktivitetin e gjyqtarit Fatri Islamaj.
Nën justifikimin e përgatitjes së një dokumentari televiziv, Top Channel kërkon informacion nga KLD për të dhëna mbi gjyqtarin Islamaj, e konkretisht nëse ndaj tij ka patur ankesa apo denoncime nga ana e qytetarëve gjatë të gjithë karrierës së tij, si edhe t’i vihen në dispozicion këto ankesa.
Gjithashtu, “Top Channel” kërkon nga KLD informacion nëse ndaj gjyqtarit Fatri Islamaj ka pasur vërejtje apo paralajmërime gjatë karrierës së tij. Natyrisht, edhe kjo pikë shoqërohet me kërkesën për vënien në dispozicion të akteve administrative, nëse ka.
Kjo kërkesë e Top Channel drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë krijon dyshimet e forta se është hartuar me qëllimin e vetëm për t’i ushtruar presion dhe për të shantazhuar gjyqtarin, i cili vetëm dy ditë më pas do të shqyrtonte padinë e “New Vision” ndaj administratores së televizionit.
Ky dyshim forcohet edhe më tej kur, e parë në planin mediatik, kërkesa është absurde. Top Channel e justifikon kërkesën drejtuar KLD-së me nevojën e informacionit për realizimin e një dokumentari televiziv, kur qartësisht duket se fokusi i vetëm është gjyqtari Fatri Islamaj.
Gjithashtu, kërkesa drejtuar KLD-së është hartuar dhe dorëzuar vetëm pak ditë para se gjyqtari Ismalaj, së bashku me kolegët e tij, të jepnin vendimin për kërkesën e “New Vision”.
Dhe, presioni e shantazhi i Top Channel ndaj gjykatës së Apelit ka rezultuar i suksesshëm për Vjollca Hoxhën. Gjykata e Apelit e Tiranës vendosi të mos pranojë kërkesën e “New Vision” për rrëzimin e pezullimit të urdhërit të ekzekutimit.
Në këtë mënyrë, kompania “New Vision”, megjithëse e ka fituar të drejtën e saj për të marrë paratë për punën që ka bërë në favor të Top Channel, duhet të presë sërish një kohë të pacaktuar, derisa gjykatat shqiptare të shqyrtojnë në themel kundër-padinë e Vjollca Hoxhës.
Ndërkohë Top Channel nuk ka transmetuar asnjë “dokumentar”, në qendër të të cilit do të ishte gjyqtari i Apelit, Fatri Islamaj.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews