Deputetja e Partisë Socialiste, Spiropali, ka thënë se maxhoranca do dërgojë sërish emrin e Sandër Lleshit te presidenti Meta për t’u dekretuar.
Ajo e bëri deklaratën e mësipërme në rubrikën “Opinion” në “News24”, ku tha:
“Është një konflikt i sforcuar dhe urojmë mos kthehet në konflikt institucional. Ne do e rinisim kandidaturën e z.Lleshi te presidenti. Presidenti ka marrë kohën e gjatë për të hulumtuar dhe jemi të lumtur që është një figurë e pastër dhe nuk kemi asnjë diskutim që është figura e duhur për të luftuar krimin në vend.”
Ajo tha se Meta ka marrë kompetenca që nuk ia jep Kushtetuta ndërsa tha se shpreson që kreu i shtetit ta respektojë atë.
“E ka Kuvendi këtë atribut për të votuar Ministrin e Brendshëm dhe është zgjedhje e kryeministrit, ndryshe nuk do ishim Republikë Parlamentare. Z.Meta është një politikan i pjekur dhe nuk kam arsye të dyshoj se do bëjë detyrën deri në fund. Vendit i duhet një Minister i Brendshëm me funksione të plota, ashtu sikundër tha edhe ambasadori i BE-së.”