Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë Këlliçin, pasi rezultoi pa probleme në të tre kriteret e rivlerësimit.
Kandidatja për gjyqtare, Arnisa Këlliçi u konfirmua të martën në detyrë. Trupa gjykuese e vetingut, e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Suela Zhegu relatore dhe Xhensila Pine anëtare shpalli vendimin për konfirmimin në detyrë të magjistrates Arnisa Këlliçi, pasi iu nënshtrua hetimin administrativ për të të tre kriteret e vetingut.
Gjatë shpalljes së vendimit, në sallë kanë qenë të pranishëm vëzhguesja ndërkombëtare Marie Tuma, vetë kandidatja për gjyqtare Arnisa Këlliçi dhe familjarë të kësaj të fundit.
Nga hetimi për kriterin e pasurisë rezultoi që gjetjet e KPK-së përputhen me deklarimet e subjektit të rivlerësimit.
Edhe sipas raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Znj. Këlliçi është vlerësuar si e përshtatshme për të vazhduar karrierën e saj si gjyqtare. Ajo është vlerësuar pozitivisht edhe në aspektin profesional, si nga Shkolla e Magjistraturës ashtu edhe për punën që ka kryer në Gjykatën e Lartë si ndihmëse ligjore.
Këlliçi ka mbaruar studimet në fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në nivelin ‘bachelor’ në vitin 2006 me medalje ari. Më tej kandidatja për gjyqtare ka përfunduar një master në drejtësi me ekselencë dhe doktoraturën në ‘Central European University” në Budapest.
Nga shkurti 2014 deri në shkurt 2017, kur është kualifikuar në programin e magjistraturës me 71 pikë, Këlliçi ka punuar si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë, ku ka prodhuar 367 relatime me natyrë civile.
VINI RE: Ky matertial është pronësi intelektuale e Reporter.al