Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin për vendosjen e masave mbrojtëse për importimin e të gjitha prodhimeve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Siç njoftohet nga Qeveria, masat mbrojtëse nënkuptojnë tatim prej 10 për qind ndaj të gjitha prodhimeve të importuara në Kosovë, e që vijnë nga Republika e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Prej këtyre masave do të përjashtohen prodhimet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala duke prezantuar propozim masat mbrojtëse tha se tatimi do të vendoset mbi të gjitha prodhimet, në mesin e të cilave janë qumështi dhe prodhimet e qumështit, mollat, prodhimet higjienike, tekstili, mielli, materiali ndërtimor, biskotat e ëmbla, lëngjet, ilaçet, uji, alkooli, produktet e duhanit, makinat dhe të tjera.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se Serbia po shpenzon shumë para për të lobuar kundër Kosovës, ndërsa buxheti i Serbisë mbushet edhe me paratë e qytetarëve të Kosovës përmes importit të mallrave nga Serbia. Ai gjithashtu vuri në dukje se kjo do të mbronte gjithashtu prodhuesit vendorë në Kosovë.