Lënia jashtë ndeshjes e Xherdan Shaqirit nga trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp në përballjen me Ylli i Kuq të Beogradit është komentuar së fundmi edhe nga mediat gjermane.
Gazeta gjermane “Die Welt” ka shkruar një artikull me titull “Armiku shtetëror Nr.1” .
“Xherdan Shaqiri mezi e priste ndeshjen kundër Yllit të Kuq të Beogradit por për shumë tifozë serbë futbollisti i kombëtares zvicerane, Shaqiri është për shkak të origjinës së tij, ‘persona non grata”.
Huliganët e Yllit të Kuq, të njohur për rastet e dhunës duket se i kishin përgatitur një pritje të veçantë lojtarit. Nga koret tipike ‘vdekje shqiptarëve’ deri tek aksionet që mund të çonin në ndërprerjen e lojës, gjithçka ishte e mundur. Për shkak të huliganëve u dorëzua edhe Liverpooli. Trajneri, Jurgen Klopp vendosi të mos e marrë Shaqirin të martën në Beograd.”, shkruan “Die Welt”.
Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një artikull me titull “Në Beograd më mirë pa Shaqirin” shkruan: “Klopp theksoi se Liveropooli nuk ka asnjë lloj mesazhi politik. Prandaj duam t’i mënjanojmë ‘të gjitha devijimet’ në një garë që ‘është e rëndësishme për futbollin e vetëm për futbollin'”.