Sot do të mbahet seanca e jashtëzakonshme në Kuvend, për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, si edhe për emërimin e Sandër Lleshit në detyrën e re – si zv.ministër.
Pavarësisht se presidenti i Republikës Ilir Meta nuk e dekretoi Sandër Lleshin si ministër, maxhoranca duket e vendosur ta emërojë atë gjithsesi, si zv.ministër.
Lleshi pritet të jetë zv.ministër me kompetencat e ministrit, ndërsa emërimi i tij do bëhet me VKM të veçantë. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Pas mosdekretimit të Lleshit si ministër, kryeministri Rama shkoi në zyrën e presidentit Meta ku diskutoi për çështjen në fjalë.
Kreu i qeverisë e pohoi në “Twitter” emërimin e Lleshit si zv.ministër duke thënë se gjithsesi ai do të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme.
“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00.” – shkruan Rama.
Ditën e djeshme Presidenca zbardhi hollësitë e takimit Meta-Rama. Në njoftim theksohet se kreu i shtetit ka konfirmuar përkushtimin maksimal ndaj Kushtetutës dhe rritjes së klulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional në vend.
Në reagim theksohet gjithashtu se presidenti nuk do lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit të institucionit që përfaqëson.
Në fund Meta thekson se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar.
“Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues. Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet.
Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes. Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”. – thuhet në reagimin e Metës.
Mirëpo kryeministri Rama e gjeti gjithsesi mënyrën për t’i dhënë këshilltarit të tij drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Por si zv.ministër, Lleshi nuk do t’i ketë kopetencat të njëjta ashtu sikurse një ministër.