Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet afatmesme, çfarë ndryshoi me votën e djeshme në SHBA


Ditën e djeshme amerikanët u janë drejtuar kutive të votimit në ato që njihen si zgjedhjet afatmesme.

Demokratët kanë mundur të rimarrin kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve pas tetë viteve të gjata jashtë pushtetit, duke i hapur jo pak probleme agjendës administrative të presidentit republikan, Trump.

Megjithatë republikanët arritën të zgjerojnë shumicën në Senat dhe me anë të kësaj kanë ruajtur mundësinë për të emëruar gjyqtarë në pikat kyçe.

Vendimi që rrjedh nga vota e amerikanëve vjen pas një prej sezoneve më intensivë dhe të rrëmujshëm për sa i përket zgjedhjeve afatmesme.

Senati

Në fushatë u përfshinë fuqishëm presidenti Trump nga njëra anë dhe ish-presidenti Obama në krahun tjetër, të cilët udhëtuan në mbarë vendin në mbështetje të kandidatëve respektivë.

Trump ia doli më së miri që të parandalonte fitoren totale të demokratëve në Kongres dhe arriti të shmangë atë që i ndodhi ish-presidentit Obama në zgjedhjet e tij të para afatmesme në vitin 2010, ku Partia Demokratike humbi 6 vende në Senat dhe 63 në Dhomën e Përfaqësuesve.

Pas daljes së rezultateve, presidenti Trump, reagoi menjëherë në “Twitter” duke e cilësuar rezultatin si “sukses të pamasë”.

“Sukses i pamasë sonte. Ju falenderoj shumë të gjithëve”. Më tej ai shtoi cuke cituar shkrimtarin dhe analistin Ben Stein sipas të cilit “vetëm 5 herë në 105 vitet e fundit, një president në detyrë ka fituar vende në Senat në zgjedhjet afatmesme të vitit të ardhshëm”.

Dhoma e përfaqësuesve

Kontrolli i Senatit nga republikanët u jep atyre mundësinë që të emërojnë të gjithë gjyqtarët në pikat kyçe duke përfshirë ato të Gjykatës Supreme.

Megjithatë fitorja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve u jep shpresë atyre që të vijojnë me agjendën e tyre për të hetuar presidenti Trump dhe për të kërkuar votëbesimin ndaj tij.

Me kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët do të jenë në gjendje të frenojnë “dëshirat” legjislative të presidentit duke përfshirë këtu financimin e ndërtimit të murit me Meksikën dhe heqjen e një takse për shtresën e mesme.

Ose të paktën do të përpiqen që të mos i bëjnë shumë lëshime kreut të shtetit për çështje si reforma e emigracionit, përpara se Trump të gjejë dhe mënyrën për të realizuar planet e tij. /Hashtag.al

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Foxnews


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *