Presidenti italian, Mattarella, është shprehur tejet i kënaqur nga pritja që i ishte rezervuar atij nga arbëreshët e Italisë.
Ai ka qenë në Kalabri ku së bashku me presidentin shqiptar Meta kanë vizituar komunitetin arbëresh që jeton në Itali.
Ai e ka shprehur përshtypjen pozitive për pritjen me anë të disa postimeve në “Twitter” ku ndër të tjera thekson se Italia do bëjë çmos që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së dhe së bashku me anëtarët e tjerë të familjes evropiane të ndërtojnë një kontinent të bashkuar dhe integruar.
Mattarella ka thënë gjithashtu se prania e arbëreshëve në Itali është shembulli më i mirë i historisë së integrimit dhe pritjes së tyre nga italianët, gjë që sipas tij ka pasur sukses.
Kreu i shtetit italian ka shkruar gjithashtu se pavarësisht bashkëjetesës në Itali për 500 vite, arbëreshët e kanë ruajtur më së miri traditën e tyre antike, ritet fetare, gjuhën e të parëve duke dhënë njëkohësisht ndihmesën e tyre për Italinë.