“Hakmarrja”, dyshohet të jetë shkaku i vrasjes së Edison Harizajt. Pas krimit të rëndë që ndodhi në Durrës mbrëmjen e të martës, pista kryesore në të cilën po heton policia është hakmarrja për një seri ngjarjesh kriminale që fillesën e tyre e kanë para viteve 2000 në Vlorë.
Sipas hetuesve, viktima Edison Harizaj dhe miku i tij i plagosur Genci Caci, janë vënë në shënjestër të vrasësve për shkak të ngjarjeve të mëparshme kriminale në të cilat janë përfshirë.
I zhdukuri në Vlorë Andi Xhaferri ishte caktuar që të mbante nën vëzhgim Harizajn (mikun e Emiljano Shullazit) dhe Cacin, i cili më herët i kishte shpëtuar një atentati për të kuptuar rutinën e tyre. Urdhër që e kishte marrë nga Belgjika.
Xhaferi ishte porositur t’i gjente banesat, makinat, vendet që frekuentonin më tepër në mënyrë që të ndërtohej një pritë për t’iu bërë atentat.
Në hetime thuhet që vetëm pak ditë pasi Xhaferri erdhi në Vlorë për të kryer porosinë e marrë dhe nisi të gjurmojë personat së bashku me mikun e tij u zbulua prej Harizajt dhe mikut të tij. Dy të rinjtë humbën kontaktet me familjarët dhe dyshohet të jenë vrarë.
Pas vrasjes së Xhaferrit, Harizaj u zhvendos nga Vlora në Durrës, ku jetonte në një banesë me qira pranë zonës së Plazhit, shumë pranë vendit ku u vra.
Ekzekutimi dyshohet të jetë porositur nga Belgjika, i njëjti vend nga e kishte marrë porosinë Xhaferri, për të ndjekur Harizajt.