Templates by BIGtheme NET

Marrëveshja e pa arritur me Thaçin, presidenti serb: Dialogu do vazhdojë kur të hiqet taksa doganore

Ka përfunduar takimi në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç. Edhe ky takim është ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Pas takimit, Vuçiç tha se nuk ka dialog me Kosovën, përderisa nuk tërhiqet taksa 10% e vendosur nga Qeveria e Prishtinës ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Vuçiç tha gjithashtu se nuk ka folur për shkëmbim territoresh asnjëherë, mirëpo do të vazhdojë dialogun për të parë se çfarë fiton Serbia nga ky proces. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë pas takimit se “kishte plot ballafaqime dhe nuk ishte takim aspak i lehtë”.

“Mbetet të shihet në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat, por mund të them se është sfidë jo e lehtë që të ballafaqohemi me gjithë këtë aparaturë të Serbisë këtu. Do të ishte mirë që i gjithë spektri politik në Kosovë të unifikohet dhe të vijë këtu e të ballafaqohemi. Është momentum, shans historik që të sigurohet njohja e Kosovës nga Serbia. Unë i kam rezervat e mia, e di se do të jetë vështirë dhe ka një mundësi të vogël për marrëveshje, por duhet të punojmë”, ka theksuar Thaçi.

Ndërkaq, në një komunikatë të Federica Mogherinit për mediat, thuhet se Bashkimi Evropian pret që Prishtina dhe Beogradi të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e raporteve ndërmjet tyre dhe perspektivës konkrete të aspiratave të tyre evropiane.

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto