Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Astirit nuk dorëzohen: USA dhe BE, reagoni ndaj mafias shqiptare


Që herët në mëngjes, banorët e zonës së “Astirit” në Tiranë kanë dalë edhe njëherë tjetër në protestë duke bllokuar rrugën.

Protestuesit kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre, deri në marrjen e një dëmshpërblimi që i kompeson plotësisht ata.

Banorët e Astirit kanë dalë me pankarta në duar, duke zënë të dyja anët e Unazës së Re dhe rrjedhimisht duke bllokuar qarkullimin.

Policia ka mbërritur në vendin ku po organizohet protesta, për të ndaluar protestën e qytetarëve.

Që prej datës tre nëntor, banorët e Astirit kanë dalë çdo ditë në protesta, për shkak të projektit të “Unazës së Madhe”, që parashikon shembjen e banesave të tyre.

Pjesa më e madhe e këtyre banorëve, nuk i kanë banesat të legalizuara edhe pse kanë aplikuar prej shumë vitesh dhe vetë kryeministri në fushatë u pati premtuar legalizim falas.

Duke mos i patur banesat të legalizuara, këta banorë rrezikojnë të mos marrin dëmshpërblim për shembjen e shtëpive që i kanë ndërtuar me paratë e shumë viteve punë.

Ata thonë se janë 600 familje që do të nxirren në rrugë, ndërsa i kërkojnë kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj t’u japin një zgjidhje sepse përndryshe do të kërkojnë strehim politik dhe do të shkojnë te ambasada amerikane. 

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, ishte i pranishëm në këtë protestë, ku tha se qeveria dhe bashkia ka për detyrë t’u përgjigjet qytetarëve.

“Dua të sqaroj gjithë opinionin publik sepse ka një ngatërresë. Njerëzit duhet të kuptojnë se këtu janë mbledhur të majtë e të djathtë, të veriut dhe të jugut.

Kjo është çështje halli dhe kërkoj mirëkuptimin e atyre njerëzve që u bllokohet sot qarkullimi, e shpresoj t’u bashkohen sepse sot janë shtëpitë e tyre e nesër mund të jenë të tyre, nesër mund të jenë diku tjetër. Sot në Tiranë, nesër në Durrës.

Si deputet i PD unë vij për t’i shprehur këtyre banorëve solidarizimin me kauzën.

Si një qytetar i Tiranës më duket absurde, që të ngrihet njëri në një vend kandidat për BE, që e quan veten kryeministër e sillet si diktator, të vendosë të shkatërrojë banesat qytetarëve pa i dhënë asnjë dokument, asnjë dëmshpërblim apo konpesim. Sa për atë që do u jepet 1 vit apo dy vjet qira, është e papranueshme dhe absurde.

Populli dhe qytetarët kanë të drejtë ta marrin fatin e tyre në dorë. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë e asgjë më pak.

Dikush nga qeveria të vijë e të japë një përgjigje, deputet, ministër, kryeministër e kryetari i bashkisë që e shohim 24 në televizor e nuk gjen një minutë kohë për t’i dhënë një përgjigje e një zgjidhje këtyre njerëzve. E them me keqardhje që mediat duhet të ishin të gjitha këtu.”, tha Balliu.

“E vetmja detyrë që ka qeveria, është të vijë e t’i japë llogari njerëzve këtu.”, vijoi më tej Balliu. Të pranishëm janë edhe deputetë të tjerë të opozitës, si Oriola Pampuri, apo kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Belind Këlliçi, i cili ka publikuar edhe këto foto nga protesta.

Në një nga pankartat shkruhet “USA dhe BE, reagoni ndaj mafias shqiptare”./ Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *