Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, i është bashkuar edhe njëherë tjetër banorëve të Astirit në protestën e tyre, ku tha se qeveria dhe bashkia ka për detyrë t’u përgjigjet qytetarëve.
“Dua të sqaroj gjithë opinionin publik sepse ka një ngatërresë. Njerëzit duhet të kuptojnë se këtu janë mbledhur të majtë e të djathtë, të veriut dhe të jugut.
Kjo është çështje halli dhe kërkoj mirëkuptimin e atyre njerëzve që u bllokohet sot qarkullimi, e shpresoj t’u bashkohen sepse sot janë shtëpitë e tyre e nesër mund të jenë të tyre, nesër mund të jenë diku tjetër. Sot në Tiranë, nesër në Durrës.
Si deputet i PD unë vij për t’i shprehur këtyre banorëve solidarizimin me kauzën.
Si një qytetar i Tiranës më duket absurde, që të ngrihet njëri në një vend kandidat për BE, që e quan veten kryeministër e sillet si diktator, të vendosë të shkatërrojë banesat qytetarëve pa i dhënë asnjë dokument, asnjë dëmshpërblim apo konpesim. Sa për atë që do u jepet 1 vit apo dy vjet qira, është e papranueshme dhe absurde.
Populli dhe qytetarët kanë të drejtë ta marrin fatin e tyre në dorë. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë e asgjë më pak.
Dikush nga qeveria të vijë e të japë një përgjigje, deputet, ministër, kryeministër e kryetari i bashkisë që e shohim 24 në televizor e nuk gjen një minutë kohë për t’i dhënë një përgjigje e një zgjidhje këtyre njerëzve. E them me keqardhje që mediat duhet të ishin të gjitha këtu.”, tha Balliu.
“E vetmja detyrë që ka qeveria, është të vijë e t’i japë llogari njerëzve këtu.”, vijoi më tej Balliu.