Qindra protestues janë mbledhur mëngjesin e sotëm në zonën e Unazës së Re të “Astiri”.
Ata vijojnë protestën e tyre kundër prishjes së banesave dhe bizneseve.
Qytetarët mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Nuk ka bir k*rve që prish shtëpitë tona”, “Shtëpia mbrohet me jetë” dhe “Fuqia e njerëzve është më e madhe se e njerëzve në fuqi”.
Ata kanë bllokuar të dyja anët e Unazës së Re dhe kjo ka sjellë edhe vështirësi në qarkullim. Protestës së tyre i janë bashkuar mëngjesin e sotëm edhe deputetët e opozitës, që kanë shprehur mbështetjen e tyre për ta.
Banorët kërkojnë bisedime me qeverinë lidhur me projektin që prish më shumë se 300 banesa e biznese në segmentin nga Sheshi Shqiponja deri te Pallati me Shigjeta.
I pari që e ka përdorur shprehjen “s’ka bir k*rve” ka qenë kryeministri Rama në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Pas tij këtë mesazh e përdori ish-ministri i Brendshëm, Tahiri, kur sapo ishte vënën nën hetim nga Krimet e Rënda për trafik ndërkombëtar droge ndërsa i fundit është kryebashkiaku i Durrësit, Dako, që e përdori shprehjen në një emision televiziv.
Dako del në përgjimet e prokurorisë duke biseduar me anëtarët e një grupi, një pjesë e të cilëve janë të arrestuar lidhur me “Dosjen 339”.