Vendosni fjalën kyçe....

Rama i çon Metës për herë të dytë, kërkesën për dekretimin e Lleshit


Kryeministri Edi Rama ka firmosur kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit si Ministër të Brendshëm, për t’ja dërguar presidentit Ilir Meta, për herë të dytë.

“Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm.”, shkruan Rama vetëm pak minuta pasi Meta tha para gazetarëve se nuk tërhiqej nga vendimi i tij.

Këtë Rama e paralajmëroi, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Rama tha se emri i Lleshit do të dërgohet përsëri për dekretim dhe se Meta sipas tij, nuk ka dhënë një arsye rreth figurës të këshilltarit, duke treguar se për këtë emër të propozuar Presidenca ka hulumtuar në një mënyrë që nuk është bërë më parë.

“Presidenti nuk ka paraqitur arsye që të konsideroheshin arsye që binin ndesh me kriteret për tu mandatuar deputet. Zyra e presidentit ka bërë hulumtimin më të thellë të Republikës parlamentare. Kanë kërkuar për gjeneralin në adresa që kurrë më parë nuk kanë hulumtuar dhe kanë gjetur gjithçka të bardhë. Unë kam thënë që presidenti nuk më dha asnjë arsye që të vërë në diskutim të drejtën kushtetuese të Gjeneralit për të qenë Ministër i Brendshëm.

Diksutimi mes meje dhe presidentit ka qenë i drejtë dhe shumë konstruktiv. Unë presidentit i kam çuar si kryeministër një dekret, unë i çoj dekret dhe jo kandidat.

Presidenti nuk ka kompetencën t’i refuzojë por duhet t’i dekretojë, me një relacion shpjegues të mirë argumentuar, bazuar në procedurë, dhe në traditën e krijuar nga presidenti, për hir të së vërtetës, që në rastin e negociatave më Greqinë për plotfuqishmërinë, ka dërguar shkresa shumë serioze dhe shumë të detajuara që e kanë ndihmuar shumë procesin.

Në këtë traditë, do t’i çoj nesër presidentit një shkresë shpjeguese të detajuar dhe do t’i japim presidentit mundësinë që të krijojë bindjen e plotë e të rifutemi në binarët e kushtetutës. Ky precedent nuk mund të krijohet dhe nuk ka pse të krijohet”, deklaroi Rama.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, Rama paralajmëroi se në ditët e ardhshme qeveria do t’i drejtohet kësaj gjykate, për një interpretim të kësaj çështje. Rama tha se në momentin që ajo do të plotësohet me anëtarë “shpresoj në pranverën e ardhshme” mund ta marrë në shqyrtim dhe “të sqarojë një herë e mirë dhe këtë aspekt”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *