Presidenti serb Aleksandar Vuçiç duket se është vënë në siklet, kur gjatë një prononcimi për mediat lidhur me takimin që pati me homologun nga Kosova Hashim Thaçi, disa shqiptarë nisën të bërtisnin nga ndërtesat në Bruksel.
Televizioni Publik i Serbisë (RTS) pretendon se presidenti i tyre është sulmuar verbalisht nga disa shqiptarë, ndërsa ai intervistohej lidhur me takimin, që nuk shkoi mirë mes Thaçit dhe Vuçicit.
Siç mund ta shihni në minutën 12:45 sekonda në videon e mëposhtme, Vuçiç komenton thirrjen e shqiptarëve: ”Këta shqiptarë duan të bërtasin kaq shumë! Askush nuk i ka mësuar se si të sillen në një mënyrë të denjë për të mos i penguar fqinjët? Nuk ka rëndësi, do të mësohen me kohë”, tha Vuçiç.
Në takimin e fundit që pati në Bruksel me Presidentin e Kosovës, Vuçiç sipas mediave kosovare u tha se u shfaq në negociata me zëra agresivë.
Vetë Thaçi është shprehur se ishte shumë i vështirë takimi që zhvilloi në Bruksel me homologun serb.
“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia dhe Vuçiç derisa diskursi ynë ishte i argumenteve dhe i anës së drejtë për arritjen e një marrëveshje të balancuar që do të nënkuptonte njohjen reciproke dhe hyrjen në OKB dhe zëvendësimin e rezolutës 12/44″, tha Thaçi.
Ai u shpreh më tej se takimi i radhës do të mbahet se shpejti derisa shpreson në arritjen e një marrëveshje finale.
“Mbes me shpresë se me një përfaqësim me bazë edhe më të gjerë politike Kosova si edhe më herët do të ja dalë edhe kësaj radhe’, theksoi ai.