PSG ka përfunduar sërish në “lupën” e mediave. Pas akuzave për shkelje të fair play-t financiar, klubi parisien kthehet sërish në skenë me një tjetër skandal.
Sipas “Football Leaks”, personat që merreshin me merkaton e ekipit, duke kërkuar lojtarë në vitet 2013-2018 i vlerësonin futbollistët sipas origjinës së tyre.
Lojtarët ndaheshin sipas kategorive etnike dhe në dokumentacion duhet të shënohej nëse ishin francezë, nga Afrika, nga Antilet franceze apo Magrebi (Algjeri, Marok, Tunizi, Libi, Mauritani).
Siç shkruan sot italiania “Repubblica”, polemikat shpërthyen në vitin 2014 në rastin e 13-vjeçarit Yann Gboho nga Bregu i Fildishtë, që tërhoqi vëmendjen e vëzhguesve të klubit teksa luante për ekipin francez të Rouen.
“PSG nuk donte që të afronim lojtarë të lindur në Afrikë, pasi për ta nuk është kurrë e sigurt se kur kanë lindur”, ka deklaruar asokohe Serge Fournier, që ka qenë vëzhgues për PSG-në.
Vetë klubi francez e ka pranuar skandalin në fjalë por ka deklaruar nëpërmjet një komunikate zyrtare duke dënuar çdo formë diskriminimi, racizmi apo dallimi etnik.