Vendosni fjalën kyçe....

Tkurret biznesi i vogël, në 2017-n realizoi 15% më pak të ardhura, uli numrin e të punësuarve


Biznesi i vogël vazhdon të rrudhet në vend për shkak të riformatimit të ekonomisë. Gjatë 2017-s bizneset e vogla realizuan 15% më pak të ardhura në krahasim me një vit më parë, ndërsa ndërmarrjet e mëdha rritën peshën e tyre në totalin e shitjeve neto. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë rreth 88% të sipërmarrjeve në vend dhe janë gjenerator punësimi (vetëpunësimi) në ekonomi. Megjithatë të dhënat në rezultatet paraprake  të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin 2017 tregojnë se numri i tyre dhe të punësuarit në to ranë në krahasim me të njëjtën periudhë më parë.

Numri i ndërmarrjeve me 1 deri në 4 të punësuar në 2017-n ishte 94 mijë e 614 biznese, ndërsa një vit më parë ishte 96 mijë e 614 biznese, thuajse 1,800 biznese më pak.

Edhe të punësuarit (ku përfshihen edhe të vetëpunësuarit) shënuan rënie në 2017-n. Pesha në punësim e ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar një vit më parë ishte 32%, ndërsa në 2017-n pesha e tyre ishte 30.4%.  Numri i të punësuarve në ndërmarrjet e vogla ra me 3%  nga 2016 në 2017-n.

Një nga faktorët që po tkurr bizneset e vogla në vend është edhe riformatimi i ekonomisë, prej së cilës bizneset e vogla po vuajnë edhe krizën e konsumit. Me zgjerimin e rrjeteve të supermarketeve, por edhe me hovin që kanë marrë qendrat tregtare, më pak konsumatorë po qasen drejt tyre. Të dhënat nga rezultatet paraprake të Anketës Strukturore 2017 treguan se bizneset e vogla qarkulluan prej shitjeve rreth 15% më pak të ardhura. Në 2017-n ndërmarrjet e vogla qarkulluan rreth 245 miliardë lekë nga 286 miliardë lekë që qarkulluan një vit më parë.

Në prill 2018 situata e biznesit të vogël u shtrëngua edhe më tej me përfshirjen në skemën e TVSH-së të bizneseve me qarkullim mbi 2 milionë lekë, nga 5 milionë lekë që ishte pragu për përjashtimin nga TVSH-ja.

Në ekonomi mbizotërojnë ndërmarrjet e vogla, mungojnë të mëdhatë

Në krahasim me një vit më parë, numri i ndërmarrjeve aktive në vend shënoi rënie. Në 2017-n llogariten rreth 107 mijë ndërmarrje aktive nga 108 mijë që ishin një vit më parë.

Ekonomia shqiptare është e përbërë kryesisht nga mikrondërmarrje, pesha e të cilave në totalin e sipërmarrjeve është më e lartë. Ato që dominojnë janë subjektet e vogla, që kanë më pak se 4 të punësuar, që përbëjnë 88% të totalit, ose gati 95 mijë biznese të vogla. Bizneset me 4-9 të punësuar zënë 6.2% të totalit, apo rreth 6,759 ndërmarrje në total. 4.5% e ndërmarrjeve kanë 10-49 të punësuar në vend, ose në total 4,839.

Mikrondërmarrjet zënë një peshë më të lartë, krahasuar edhe me vendet e rajonit.

Krahasuar me Maqedoninë, mikrondërmarrjet me 1-9 të punësuar kanë një peshë prej 90% në totalin e ndërmarrjeve në ekonomi, ndërsa në Shqipëri mikrondërrmajet me 1-9 të punësuar kanë një peshë prej 94.2%.

Për sa i përket kompanive me numër më të lartë të punësuarish, vetëm 41 kompani kishin më shumë se 500 punonjës, sipas renditjes së 100 punëdhënësve më të mëdhenj, të publikuar me Tatimet. Ndërsa rreth 100 kompani kanë më shumë se 250 punonjës.

Sërish renditemi më keq sesa Maqedonia, e cila sipas statistikave zyrtare, ka 233 kompani me më shumë se 250 të punësuar, nga të cilat 70 janë në sektorin e industrisë përpunuese (në Maqedoni kishte gjithsej 71.5 mijë ndërmarrje në fund të 2016-s, sipas statistikave zyrtare).

Për krahasim, ndërmarrjet me më shumë se 50 punonjës në Maqedoni përbëjnë 2.3% të totalit, ndërsa në Shqipëri, vetëm 1% të totalit.

Në total, në Shqipëri, kishte 1,242 biznese që kanë mbi 50 punonjës në vitin 2017, sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT./Monitor

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *