Pasi kërcënoi me padi kryetarin e PD-së Lulzim Bashën, deputetin Enkelejd Alibeaj, Sali Berishën dhe Oerd Bylykbashin, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka një tjetër padi për opozitën.
Pas deklaratës së sotme të deputetes së opozitës Albana Vokshi, se Dako duhej arrestuar, kryebashkiaku thotë se do të ngrejë padi për shpifje edhe ndaj saj.
“Me shumë kënaqësi do të ngre padinë për shpifje edhe për zonjën Vokshi, të cilën kam pasur rastin ta ndjek nga afër në fushatat e saj të ulëta si deputete e Durrësit jo shumë kohë më parë!
Një zonjë e papërmbajtur në fjalor, në gënjeshtra dhe në injorancën e saj ekstremiste. Një politikane që e bën të bardhën të zezë dhe anasjelltas dhe që as nuk skuqet as nuk zverdhet, kur gënjen elektoratin.
Aq gënjeshtare është kjo politikane sa që akoma sot nuk mbarojnë barcaletat për të në katundet ku kujtoi se gjeti budallenj për t’ju marrë votën! Mori atë që meritonte dhe sot vazhdon po njësoj, tamam njeriu që krijoi Saliu.
Në gjykatë e panderuara zonja Vokshi, aty silli provat e fajësisë time ose pastaj dihet, lekët për Fondin e Edukimit!”, shkruan Dako.