Një 28-vjeçar nga Lushnja, me ndihmën e shokut të tij, kishte rrëmbyer ish-bashkëshorten dhe e mbante peng në Durrës.
Mirëpo pas denoncimit të ish-vjehrrit, Marjus Musaku është zbuluar nga policia brenda 24 orëve dhe është vënë në pranga.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zhamë, ku Musaku e kishte rrëmbyer me forcë ish-bashkëshorten me inicialet P.M., 27-vjeçe.
“Në Komisariatin e Policisë Lushnje ka bërë kallëzim shtetasi F.K, se 2 persona të paidentifikuar i kanë marrë vajzën.
Pas marrjes së njoftimit, u ngrit grupi hetimor dhe falë veprimeve të shpejta operative dhe profesionale, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes si dhe kapja e autorit të dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje, ndaluan shtetasin:
- Marjus Musaku, 28 vjeç, banues në Karbunarë, Lushnje. (i dënuar më parë për veprën penale “Dhunë në familje”).
Shtetasi Marjus Musaku, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në fshatin Zhamë, ka marrë forcërisht ish bashkëshorten e tij, shtetasen P.M, 27 vjeçe dhe e mbante peng të fshehur në qytetin e Durrësit.
Policia bëri të mundur gjetjen e shtetases P.M dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Po punohet për identifikimin e autorit tjetër të dyshuar i cili ka ndihmuar shtetasin Marjus Musaku në kryerjen e kësaj vepre penale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” e kryer në bashkëpunim dhe “Dhunë në familje”, të parashikuara nga Nenet 110, 130/a/4, 25 të Kodit Penal.”, thuhet në njoftimin e policisë.