Vendosni fjalën kyçe....

Ndalohet nga policia protestuesi me megafon, deputetët e opozitës në komisariat


Personi që sot mbante megafonin gjatë protestës së banorëve të Astirit, është shoqëruar nga policia.

Disa deputetë të opozitës së bashkuar, të Partisë Demokratike si dhe Endrit Braimllari i Lëvizjes Socialiste për Integrim janë nisur për në Komisariatin 6, ku po mbahet i ndaluari.

U bënë tetë ditë që kur nisën protestat e banorëve të Astirit.

Deputetë të opozitës shkuan edhe dy ditë më parë të interesohen për banorët e ndaluar në komisariatin e Kombinatit, ku ishin 12 persona të shoqëruar, mes tyre edhe një grua shtatzënë.

Banorët e Astirit bllokuan rrugën që lidh kombinatin me “Sheshin Shqiponja”, ku nuk kanë munguar tensionet me drejtuesit e automjeteve që kërkonin të kalonin. Madje ndodhi edhe një përplasje nga e cila mbeti i lënduar një kameraman.

Banorët thonë se kanë marrë urdhër të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat dhe se nuk do ndalen nga protestat, megjithatë u kërkojnë ndjesë personave që u bllokojnë rrugën. “Jemi të gjithë për një qëllim”, është motoja e tyre.

Që nga mëngjesi i sotëm objekti artistik “Shqiponja” nga e cila mori emrin edhe sheshi në hyrje të Tiranës nuk është më në vendin e tij, e duket se Bashkia ka nisur punën për projektin e “Unazës së Madhe”, duke injoruar protestët e banorëve të Astirit, të cilët kanë dalë çdo ditë në protesta.

Pjesa më e madhe e këtyre banorëve, nuk i kanë banesat të legalizuara edhe pse kanë aplikuar prej shumë vitesh dhe vetë kryeministri në fushatë u pati premtuar legalizim falas.

Duke mos i patur banesat të legalizuara, këta banorë rrezikojnë të mos marrin dëmshpërblim për shembjen e shtëpive që i kanë ndërtuar me paratë e shumë viteve punë.

Ata thonë se janë 600 familje që do të nxirren në rrugë, ndërsa i kërkojnë kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj t’u japin një zgjidhje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *